Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se partia e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka filluar të ketë rënie dhe këtë e ka vërejtur edhe vetë Vuçiq.
Në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ku po diskutohet për zgjedhjet në Serbi, deputeti Kamberi ka thënë se presidenti serb i sheh zgjedhjet si një mundësi që t’i prolongojë obligimet që ka.
“Obligimet me Kosovën, sanksionet me Rusinë, rrugëtimi i Serbisë për në BE ka devijuar, besimi i qytetarit serb në BE dhe perëndim ka rënë në mënyrë drastike në 3 vjet e fundit. Vucic i sheh zgjedhjet si një mundësi që t’i prolongojë obligimet, ka parë që partia e tij ka filluar të ketë rënie, dielli i tij ka kaluar Zenitin dhe tash siguron një mandat të ri për parlament që do të përputhen zgjedhjet me mandatin e tij për president”, tha Kamberi.
Po ashtu, Kamberi ka theksuar se vetë fakti që në tri vjetët e fundit mbahen tre herë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Serbi, dëshmon se ato janë zgjedhje të rënda.
“Në Serbi është një mungesë totale e demokracisë, është një sistem autoritar që varet nga një person, dhe faktikisht ai shpall zgjedhje sa herë që ka nevojë t’i prolongojë obligimet që i merr ose kur sheh që i krijohen krizat e brendshme për ta tërhequr vëmendjen”, shtoi ai.