Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka kritikuar presidentin serb, Aleksandër Vuçiq për moton “t’i vrasim 100 për 1”.
“Mund të na vrisni të gjithëve, por Kosovën nuk e njohim”, ka thënë presidenti i Serbisë gjatë një konference të mbajtur të dielën më 24 shtator, pas një sulmi terrorist nga ana e serbëve që ndodhi në Banjskë të Zveçanit duke sulmuar Policinë e Kosovës, ku si pasojë u vra rreshteri, Afrim Bunjaku.
“Mjaft me patetizmin tuaj z President. Mos e frikësoni dhe armiqësoni popullin më kot, sepse askush nuk dëshiron të ju vrasë. Shqiptarët janë për paqë sepse pikërisht ata kanë qenë viktimat më të mëdha të ambicieve kolonialiste të fqinjëve të tyre në shekullin e kaluar”, ka thënë Kamberi.
Më tej, ai ka shkruar se për presidentin serb, Vuçiq “është koha e fundit të kthjelloheni nga andrallat tuaja kolonialiste rreth Kosovës. Ambiciet tuaja në këtë drejtim nuk janë njësoj sikurse reklamimi i çmimit të salamit (parizerit). Ato tashmë po shkaktojnë humje në jetë njerëzish. Brengosja juaj për serbët e Kosovës është destruktive”.
“Fundja, “Do të vrasim 100 për 1” kurrë nuk e ka thënë apo përsëritur një shqiptarë. Autorsia e saj ju përket juve”, ka përfunduar Kamberi.