Kamberi për Vuçiqin: Ideatori i “Botës serbe” që kërcënon paqen në Ballkan, akuzon të tjerët se janë luftënxitës

"Presidenti serb në vend se të fajësojë të tjerët dhe fajtorin të gjejë në Shkup, Tetovë, Prishtinë, Ulqin apo Bujanoc e Preshevë, është mirë të kthejë kokën ka Beogradi, Krushevci, Banjaluka, e qytetet e tjera në Serbi e ku jetojnë serbët për të ndaluar këtë fushatë histerike e të pakuptimtë rreth aspiratave imagjinare për 'kthim triumfal në Kosovë'”, ka thënë deputeti shqiptar Shaip Kamberi

Shaip Kamberi

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se ideatori i “Botës serbe”, ide e ideologji politike, vazhdimësi e politikës së Sllobodan Millosheviqit për shtetin që përfshin të gjithë serbët, i cili me veprime konkrete në Kosovë, Bosnje e Mal të Zi po kërcënon paqen në Ballkanin e brishtë, po akuzon të tjerët se janë luftënxitës.

Përmes një postimi në Facebook, Kamberi ka thënë se presidenti autokrat serb, Aleksandër Vuçiq, ditëve të fundit, sidomos pas disa editorialeve të prestigjiozeve botërore që po e kritikojnë qasjen e tij në politikat rajonale, ka filluar të lansojë akuza në drejtim të shqiptarëve për tentativë të destabilizimit të Ballkanit përmes idesë së “Shqipërisë së Madhe”.

“Në Beograd dhe nëpër shumë qytete në Serbi, sikurse edhe në shtetet tjera ku jetojnë serbët, me stihin e zjarrit, po paraqiten murale me tekstin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” (Kad se vojska na Kosovo vrati). Në Beograd, simbolikisht ky mural është vendosur në objektin e gjeneralshtabit të ushtrisë së Serbisë (të bombarduar gjatë 1999), ndërkohë që murale të ngjashme shihen edhe në Bosnje e Mal të Zi”.

“Nuk ka veprim më luftënxitës se parulla për “kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë”. Kërkojnë kthimin e ushtrisë në territorin në të cilina gjatë periudhës 1998 – 1999 ka kryer krime të rënda lufte, masakra dhe krime kundër njerzimit dhe nga i cili janë larguar pas kapitullimit në luftë”, shkroi ai.

Sipas Kamberit, vetë shënimi i përvjetorit të “Stuhisë” kroate në Prijedor, në qytetin në të cilin siç thotë deputeti shqiptar, forcat militare e paramilitare serbe kanë vrarë mbi 3100 njerëz prej të cilëve mbi 100 fëmijë dhe 260 gra, është veprim luftënxitës.

“Qëllimi i gjithë këtij teatri në Prijedor ishte tentativë për revidim të historisë duke paraqitur serbët si viktima, mbështetur në mitin e dytë mesjetar serb se “serbët janë viktima të përhershme, ndërsa të tjerët komplotojnë për zhdukjen e tyre”. “Paqja në Ballkan, 30 vjet pas përfundimit të luftës në Bosnje, nuk është vetëm e brishtë, por e rrezikuar në mënyrë akute për shkak të aspiratave të presidentit serb për të vazhduar me projektin e “Serbisë së madhe”, të paraardhësit të vet Sllobodan Millosheviq” shkruan Aleksandar Rhoterta, ish i punësuar në zyrën e OHR për Bosnje, në një tekst autorial në të përdistshmen zvicerane Neu Zuercher Zeitung”.

Po ashtu, Kamberi thotë se letra e 50 diplomatëve botërorë me titull “Rreziqet e eskalimit të mëtejshëm”, e cila kërkon një qasje të re ndaj Serbisë dhe presidentit të saj, paraqet një vërejtje serioze për politikëbërësit tolerantë ndërkombëtarë.

“Presidenti serb në vend se të fajësojë të tjerët dhe fajtorin të gjejë në Shkup, Tetovë, Prishtinë, Ulqin apo Bujanoc e Preshevë, është mirë të kthejë kokën ka Beogradi, Krushevci, Banjaluka, e qytetet e tjera në Serbi e ku jetojnë serbët për të ndaluar këtë fushatë histerike e të pakuptimtë rreth aspiratave imagjinare për ‘kthim triumfal’ në Kosovë”.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika