Analisti politik Belgzim Kamberi ka vlerësuar se Qeveria e Albin Kurtit nuk ka arritur të realizojë premtimet e saj kryesore për transformimin e sistemit, duke e cilësuar atë më tepër si një qeveri që ka implementuar reforma të pjesshme.
Sipas Kamberit, zotimet e Kurtit në fusha të tilla si arsimi, shëndetësia, ekonomia dhe politika e jashtme nuk janë realizuar në përputhje me pritshmëritë e qeverisë së vetë.
“Në bazë të premtime të veta, zotimet e tij kryesore që nga arsimi , shëndetësia, ekonomia, politika e jashtëm që i ka dhënë Vetëvendosa dhe kryeministri Kurti, nuk është që ka pasur suksese me zotimet kryesore”, është shprehur ai.
Ai ka theksuar se mungesa e njohjeve nga shtetet mosnjohëse është një dështim që tregon mosrealizimin e transformimit të madh që ai premtoi.
Po ashtu, ai ka potencuar se Kurti ka ndërmarrë disa hapa reformatorë, por këto veprime mbeten larg synimeve të saj të mëdha.
“Mungesa e njohjeve nga shtetet mos njohëse, pra nëse e shohim zotimet kryesore për atë që e ka quajtur transformim të madh, ne jemi më shumë sipas meje në disa veprime që në rastin më të mirë mund ti quajmë reformatore, por do të kisha thënë se nuk mund të flasim për një qeveria e cila i ka përmbush pritshmëritë e qytetarëve por edhe vet qeverisë për zotimet që ta transformojë sistemin. Në rastin më të mirë kemi të bëjmë me një qeveri që në mënyrën parciale bën disa reforma por mbet larg synimeve të veta”, ka deklaruar Kamberi.