Deputeti i vetëm shqiptar i zgjedhur në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, të enjten do të takohet me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq, me të cilin do të diskutojnë për mundësinë e përfshirjes së tij në koalicionin qeverisës.
Kamberi, për Portalin Dukagjini, ka thënë se në takim do ta paraqesë një plan me shtatë pika, dhe pastaj sipas tij, do të presin nga presidenti Vuçiq, nëse do t’i plotësojë ato kërkesa apo jo.
“Nesër (të enjten) kemi takim me presidentin. Kërkesa jone prioritare është realizimi i Planit shtatëpikesh. Do të shohim pas takimit nesër se çfarë ofrojnë”, ka thënë Kamberi.
Kamberi ka thënë se nuk është prioritet i partisë së tij të jetë pjesë e qeverisë serbe, por sipas tij është më e rëndësishme përfaqësimi proporcional i shqiptarëve në institucionet serbe, zhvillimi ekonomik dhe njohja e diplomave të Kosovës në Serbi.
“Nuk është prioritet yni të jemi në qeveri, por të sigurojmë përfaqësim proporcional të shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe publike, të ketë zhvillim ekonomik, të njihen diplomat e Kosovës, më prioritare janë këto kërkesa sesa të kemi një apo dy sekretarë shtetërorë”, ka deklaruar Kamberi.
Kamberi është deputeti i vetëm i cili më pesë korrik të vitit 2022, i ka marrë votat e mjaftueshme për ta marrë tashmë mandatin e tretë të tijin si deputet në Parlamentin e Serbisë. Brenda një kohe të shkurtër, Kamberi ka qenë pjesë e procesit zgjedhor mbi katër herë, kjo për shkak të përsëritjeve të zgjedhjeve disa herë me radhë si shkak i parregullsive të ndryshme.
Ai vazhdimisht është ankuar se shteti serb me qëllim ka dashur që t’ia pamundësojë zgjedhjen e tij si deputet, në mënyrë që zëri i shqiptarëve të mos dëgjohet në parlamentin serb.
Në mbështetje, Kamberit i kishte dalë i gjithë spektri politik në Kosovë.
Ky do të jetë mandati i tretë i tij, si deputet në parlamentin e Serbisë.