Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shapi Kamberi, ka treguar se punën e tij si përfaqësues është duke e kryer, pasi siç thotë ai, vazhdimisht, është duke i ngritur zëshëm problematikat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Por, Kamberi ka thënë se ka reagime negative ndaj tij nga kolegët e tij, të cilët janë nga shumica parlamentare. Ai ka treguar se ata kanë kërkuar që të arrestohej ai, por që kërkesa të tilla, sipas tij, nuk kanë ndonjë bazë ligjore.
“Kërkojnë disa deputetë të opozitës dhe një deputete e mazhorancës për arrestimin tim, sepse kam thënë që Kosova është e pavarur dhe se Serbia duhet të ballafaqohet me këtë realitet”, ka theksuar Kamberi.
Më tej, ai ka komentuar deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se nuk do ta njohë kurrë Kosovën.
“Është një retorikë e njohur e serbëve në vazhdimësi, ku tentohet që t’i bëhet presion ndërkombëtarëve”.
Sipas Kamberit, Serbia gjithnjë e më tepër po e mban krahun e presidentit rus.
“Unë hapur e kam thënë që Serbia duhet të bazohet në realitet sa i përket Kosovës, nuk ka kthim prapa për njohjen e Kosovës”.
Për fund, ai ka thënë se nuk i zë besë Vuçiq-it në takimet bilaterale, pasi sipas tij, ai përdor qasje të ndryshme nga ajo çfarë shpreh në publik, raporton euronews.al, transmeton Portali Dukagjini.