Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë ka reaguar pas arrestimit të zyrtarëve në komunën e Prishtinës.
Ata kanë thënë se Prishtina me qeverisjen e LDK-PDK, është bërë qytet kampion për paligjshmëri, duke shtuar se me arrestimet e fundit, komuna e Prishtinës është zhytur në kaos ligjor.
“Arrestimi i Shefit të personelit të Komunës së Prishtinës, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Kryetarit Rama, ish-asamblisti dhe anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, z.Fadil Aliu – Hërtica, arrestimi i ish-Drejtorit të Qendres për Punë Sociale të Prishtinës, z.Vehbi Mujku, i dorëhequr ditë më parë, arrestimi i shefes së Njësisë së Shërbimeve Sociale, Znj.Valbona Makiqi, si dhe intervistimi i Nënkryetarit të Prishtinës, z.Alban Zogaj, është dëshmia më e mirë dhe e pakontestueshme e kaosit ligjor në të cilin është zhytur Komuna e Prishtinës. Si opozitë lokale vazhdimisht kemi ngritur zërin për parregullësitë dhe shkeljet ligjore që kanë ndodhur e vazhdojnë të ndodhin tash e dy vjet në çdo segment të qeverisjes në Kryeqytet. Prishtina tani, nën qeverisjen LDK-PDK, është shndërruar në qytet kampion për paligjshmëri, padrejtësi e anarki. Nuk ka dyshim se përgjegjësia kryesor për këtë gjendje bie mbi të parin e Kryeqytetit, Përparim Ramën, për shkak të veprimeve të tij paligjshme, e të cilat tashmë çdo ditë po shpërfaqen në opinion”, thuhet në komunikatën e LVV-së – Qendra Prishtinë.