Kancelari gjerman, Olaf Scholz, të premten është pritur me nderime të larta shtetërore në Kosovë.
Ai është pritur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ambasadori gjerman, Jorn Rhode, në aeroportin e Prishtinës.
Ndërkaq, përmes një postimi në Twitter, Schloz ka shprehur mbështetjen për Procesin e Berlinit.
Heute und morgen reise ich nach 🇽🇰🇷🇸 und 🇲🇰 sowie nach 🇬🇷 und 🇧🇬. Ich will vor Ort den EU-Beitrittsprozess voranbringen und den regionalen Austausch unterstützen (#BerlinProcess). Es wird auch um unsere gemeinsame Antwort auf den russischen Angriffskrieg in der Ukraine gehen.
— Bundeskanzler Olaf Scholz (@Bundeskanzler) June 10, 2022
“Sot dhe nesër do të jem në Kosovë, Serbi, Maqedoni të Veriut, gjithashtu në Greqi dhe Bullgari. Unë dua të promovoj procesin e integrimit në Bashkimin Evropian në nivel lokal dhe të mbështes shkëmbimin rajonal, në kuadër të Procesit të Berlinit. Gjithashtu do të koordinohemi për përgjigjen tonë të përbashkët ndaj agresionit dhe luftës së Rusisë në Ukrainë”, ka shkruar Scholz në Twitter.
Ndryshe, kryeministri Kurti të enjten, ka komentuar vizitën e kancelarit Scholz në Kosovë, duke thënë se pret një fillim të ri dhe energjik të Procesit të Berlinit.
“Një fillim të ri dhe energjik të Procesit të Berlinit, ku jemi të gjithë të barabartë dhe ku përshpejtohet anëtarësimi i të gjitha vendeve, duke u bazuar në respektimin e sundimit të ligjit, demokratizmit, luftimit të korrupsionit dhe ballafaqimit me të kaluarën, meqenëse kemi në Serbi një pushtet që mohon masakrën e Reçakut dhe nuk ka bërë asgjë në raport me kriminelët e luftës, të cilët vazhdojnë atje të jenë të lirë dhe pamenduar, përveç të pandëshkuar”, ka thënë Kurti.
Kosova është destinacioni i parë i vizitës së Scholz në rajon, ndërkaq, në orët e pasdites, ai do të udhëtojë drejt Beogradit.