Të dielën e 23 prillit, qytetarët me të drejtë vote në katër komunat në veri të Kosovës pritet që t’iu drejtohen qendrave të votimit për të zgjedhur katër kryetarë dhe dy përbërje të reja të asambleve komunale.
Për zgjedhjet për katër kryetarët në veri do të garojnë 11 kandidatë, dy prej të cilëve vijnë nga komuniteti serb.
Subjektet në garë janë: Iniciativa qytetare Mitrovica, Partia Demokratike e Kosovës, Partia e Serbëve të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, si dhe një kandidate e pavarur.
Në zgjedhjet lokale të 23 prillit, partia kryesore serbe, Lista Serbe, nuk merr pjesë.
Në garë për kryetar të komunës së Leposaviqit janë Albulena Behluli – Hetemi nga PDK, Aleksandër Jabllanoviq nga Partia e Serbëve të Kosovës dhe Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në komunën e Zubin Potokut, garës për kryetar të kësaj komune i janë futur Izmir Zeqiri nga PDK dhe Flatron Hasani nga LVV.
Në anën tjetër, Ilir Peci nga PDK, Sllagjana Pantoviq – kandidate e pavarur dhe Fetah Peci nga LVV, po garojnë për të parin e komunës së Zveçanit.
Kurse në Mitrovicë të Veriut po garojnë Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica, Taulant Kelmendi nga PDK dhe Erden Atiq nga LVV.
Portali Dukagjini ka kontaktuar kandidatët nga Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Iniciativa Qytetare Mitrovica, për të kuptuar se cilat janë pritshmëritë e tyre.
Betim Osmani, Taulant Kelmendi dhe Erden Atiq kanë thënë se presin që zgjedhjet e së dielës të kalojnë në mënyrë të qetë dhe pa incidente.
Taulant Kelmendi ka theksuar se aktualisht ka kushte si për mbarëvajtjen e procesit ashtu edhe në aspektin e sigurisë.
Ai vlerëson se përderisa ligjet në Kosovë “nuk e parashohin përqindjen minimale për dalje të votuesve atëherë po ka legjitimitet”.
“Presim që zgjedhjet të zhvillohen në normalitet, në mënyrë të qetë, e rëndësishme është që procesi të përfundojë në mënyrë të qetë. Po bëjmë thirrje te qytetarët tonë që sa më shumë të marrin pjesë në zgjedhje”.
Kur pyetet se çka konsideron si luftën më të madhe me të cilën do të ballafaqohet në këtë qytet, Kelmendi ka thënë se për këtë pjesë pret nga Qeveria që të kujdeset në mënyrë që të mos pengohet dhe t’i ofrohet hapësira për të punuar.
Ai potencon se si punë të parë në rast se zgjidhet kryetar, do të mundohet që ta funksionalizojë administratën e cila sipas tij nuk është në funksion 100 për qind.
“Do të mundohem që të qeverisë sa më ndershëm bashkë me banorë, të ketë trajtim të barabartë për të gjithë pa dallim të fesë, racës etnisë, por një trajtim i barabartë sidomos edhe për komunitetin tonë shqiptarë që realisht nuk kemi qenë të barabartë që nga paslufta”, shtoi ai.
Në anën tjetër, Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica, thotë se ndonëse pret një numër të madh të votuesve, ai shton se lista e tyre është e fryrë.
“Unë pres që të dalin të gjithë qytetarët e Veriut të Mitrovicës në zgjedhje, normal që në listat e votuesve është një numër shumë i fryrë, nuk është e pastruar lista se realisht as nuk ekzistojnë një numër aq i madh siç e ka përshkru KQZ-ja ku ka paralajmëruar që janë diku 18 mijë qytetarë me të drejtë vote ku Mitrovica e Veriut zyrtarisht nuk i ka me të drejtë vote as 12 mijë e 500”, ka thënë ai në Radio Dukagjini.
Ndërkaq, kandidati i LVV-së, Erden Atiq, ka thënë se autoritetet shtetërore janë duke e organizuar mbarëvajtjen, dhe sipas tij, gjithçka pritet të shkojë sipas planit.
“Sistemi zgjedhor në Republikën e Kosovës për zgjedhjet lokale nuk parasheh atë 5 për qindëshin e famshëm sikurse në zgjedhjet nacionale, kështu që kjo lehtëson pak atë aspektin e daljes së votuesve. Unë shpresoj që dalja të jetë sa ma e madhe, mirëpo situata është kjo si është e parë edhe deklaratën e [të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabrile Escobar] i cili tha se pavarësisht nga dalja, zgjedhjet do të jenë të pranuara”.
Më tej, ai ka thënë se të gjithë ata që kanë tentuar që t’i pengojnë zgjedhjet janë arrestuar dhe janë duke u përballë me drejtësinë.
“Në shkollën ‘Aziz Sylejmani’, hera e parë do të votohet edhe në objektin e kuvendit komunal të Komunës Veriore të Mitrovicës, përkatësisht në Lagjen e ‘Boshnjakëve’, diçka që më parë nuk ka ndodhur”, ka treguar ai.
“Tashmë duhet me u ballafaqu dhe ma konsekuencat e këtyre vendimeve. Nuk kam asnjë dilemë, asnjë mëdyshje sa i përket legjitimitetit se edhe një e dy vota e bëjnë dallimin. As në këtë aspekt nuk kemi fare dyshim”, ka potencuar kandidati për kryetar në Mitrovicën e Veriut, Erden Atiq.
Një garë e ngushtë pritet të zhvillohet edhe në Zubin Potok.
Izmir Zeqiri nga PDK dhe Flatron Hasani nga LVV do të jenë dy kandidatë të cilët pritet që njëri prej tyre ta drejtojë këtë komunë.
Izmir Zeqiri, sa i përket ecurisë së fushatës për zgjedhjet në veri ka thënë se kësaj here po punohet me grupe më të vogla për shkak të situatës politike.
“Fushata ka filluar dhe ne jemi duke punuar me ekipet në vendvotime, jemi në organizim e sipër të votuesve e komisionerëve, kemi takime me qytetarët, kemi punuar me grupe të vogla, jo duke organizuar tubime të mëdha ,për shkak të situatës politike kemi zgjedhur formën më të qetë”, ka thënë Zeqiri.
Ndërsa sa i përket mundësisë që të ketë eskalim të situatës, Zeqiri tha se duke iu referuar parashenjave ku pati djegie të veturave dhe sulm ndaj zyrtarëve policorë nuk mund të përjashtohet mundësia që do të ketë problem.
“Duke iu referuar parashenjave, si djegia e veturave dhe sulmet ndaj policëve mund të ketë edhe probleme edhe rreziqe. Strukturat paralele i bëjnë presion partive serbe, ndërsa sa i përket vendvotimit, nuk mund të ketë problem, sepse vetë qytetaria nuk krijon problem, jemi mire të organizuar në të gjitha proceset”, ka theksuar ai.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Zubin Potokut që të kontribuojnë dhe të dalin në zgjedhje.
“Do të kisha bërë thirrje të gjithë qytetarëve pa dallim etnie, partie që të shfrytëzojnë hapësirën ligjore që u ofron Republika e Kosovës, në një formë obligimin për të kontribuar dhe të dalin në zgjedhje”.
Në anën tjetër, Fetah Peci, kandidat për kryetar në Zveçan nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se në këto zgjedhje pret masovitet të popullatës.
Peci ka bërë thirrje që të gjithë të dalin të votojnë dhe të kontribuojnë që gjendja të jetë më stabile.
“Pres masovitet më të madh të popullatës, i lus të gjithë të dalin që të bëhet gjendje më stabile, të kontribojnë që të jetë gjendja më e mire në çdo aspekt, të dalin të gjithë ata që dojnë të respektojnë Republikën e Kosovës e të votojnë atë që ua merr mendja”, ka thënë Peci.
Ndërsa se si është duke shkuar fushata atje, Peci ka thënë se po vërehet një siguri në nivel dhe një numër i konsiderueshëm i investimeve.
“Me fushatë jemi mirë për momentin, po shihet një disponim i mirë edhe pse jam kandidat i lëvizjes VV, kjo parti, qeveri në koalicion me Listën Guxo kanë dhënë shenja që po shkon ka përmirësimi. Është kënaqësi në masë, siguri më të larta, po vërehen investime, shpresojmë për masovitet në zgjedhje me këta numër të banorëve që kemi”, ka vijuar Peci.
Ndërkaq Lulzim Hetemi, kandidati për kryetar në Leposaviq nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) ka thënë se siguria është nivel sa i përket fushatës dhe mbajtjes së zgjedhjeve në veri.
Ai shpreson që këto zgjedhje të jenë të qeta dhe të lira.
“Kushtet janë të mira dhe siguria është në nivel. Ne jetojmë me familje këtu, nuk kemi problem çështjen e sigurisë”, ka thënë Hetemi.
Tutje, ai thotë se mjafton përkrahja e shtetit të Kosovës që të mos ketë probleme.
“Na e ka thënë edhe Kurti në takim, nëse e fitojmë ne shkojmë si kryetarë, jemi në shtetin tonë pra do të jenë legjitime. Ne e kemi shtetin përkrahës, qeverinë, besoj që nuk do të ketë probleme”.
Ndërsa se cila do të jetë puna e parë në rrugëtimin e tij si kryetar, Hetemi ka thënë se do të jetë luftimi i krimit.
Numri i përgjithshëm i qytetarëve që mund të votojnë, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është 45.095.
Më 23 mars, një ditë pas përfundimit të afatit për paraqitjen e kandidaturave në KQZ, Lista Serbe tha se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje për shkak të “pasojave të dhunës së vazhdueshme institucionale”, të cilat “i zbaton regjimi i [kryeministrit të Kosovës] Albin Kurti”.
Votimet për zgjedhjet në Kosovë zakonisht zhvillohen në shkolla.
Në veri, sipas KQZ-së, në të kaluarën janë hapur 44 qendra të votimit.
Por, për zgjedhjet e 23 prillit, të hapura do të jenë 19 qendra votimi 13 prej të cilave do të jenë të vendosura në kontejnerë.
Hapja e qendrave të votimit në shumë shkolla, kësaj radhe, u bë e pamundur, pasi ato kontrollohen nga strukturat që punojnë sipas sistemit të Serbisë, i cili i kundërshton zgjedhjet.
Prandaj, KQZ-ja tha se qendrat alternative do të jenë në kontejnerë, që do të vendosen në lokacione të ndryshme në katër komunat në veri.
Më 5 nëntor të vitit 2022, kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut nga Lista Serbe, dhanë dorëheqje.
Ata, së bashku me asamblistët komunalë dhe zyrtarë të tjerë nga sektori i sigurisë e drejtësisë, e morën këtë vendim në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës, që i obligonte serbët t’i zëvendësonin targat e makinave të tyre, të lëshuara nga Serbia, me ato RKS – Republika e Kosovës.
Dorëheqjet kolektive krijuan vakum institucional dhe bënë që mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të caktohej fillimisht për datën 18 dhjetor të po atij viti.
Procesi në këtë datë u anulua, pas rritjes së tensioneve në veri. Grupe të serbëve lokalë sulmuan më 6 dhjetor zyrtarët zgjedhorë në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok, të cilët po përgatisnin mbajtjen e zgjedhjeve.
Tensionet vazhduan dhe kulmuan me disa incidente me armë zjarri dhe me vendosjen e barrikadave në rrugët që çonin drejt dy vendkalimeve kufitare me Serbinë: Jarinjë dhe Bërnjak.
Barrikadat u vendosën pas arrestimit të ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq, i akuzuar për sulm kundër zyrtarëve zgjedhorë. Ato u hoqën pas disa javësh, përkatësisht pasi Pantiqit iu ndryshua masa e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak.
Kosova dhe Serbia, ndërkohë, arritën marrëveshje për çështjen e targave. Kosova hoqi dorë nga ndëshkimet që parashihte vendimi për shoferët që kanë makina me targa ilegale serbe, ndërsa Serbia u pajtua të mos lëshonte më targa me emërtime për qytetet e Kosovës, sikurse KM (Mitrovica e Kosovës), PR (Prishtinë) e të ngjashme.