Ceremonia e ndarjes së çmimeve “Topi i Artë” për vitin 2026 mbahet sonte, më 26 tetor, në Londër, ku do të zbulohet fituesi i çmimit më prestigjioz individual në futboll.
Ceremonia do të zhvillohet në “London Palladium”, duke filluar nga ora 21:00 sipas kohës së Spanjës, ndërsa fituesi do të pasojë francezin Ousmane Dembele, i cili e fitoi këtë çmim vitin e kaluar.
Në mesin e favoritëve kryesorë për ta fituar “Topin e Artë” këtë vit janë sulmuesi francez Kylian Mbappe, kapiteni i Anglisë Harry Kane dhe Lamine Yamal.
Kane vjen në këtë garë pas një sezoni të jashtëzakonshëm individual. Sulmuesi i Bayern Munichut shënoi 73 gola në 65 ndeshje për klubin dhe kombëtaren, duke ndihmuar skuadrën gjermane të fitojë kampionatin dhe kupën, ndërsa me Anglinë arriti deri në gjysmëfinale të Kupës së Botës.
Megjithatë, eliminimi i Anglisë në gjysmëfinale të Botërorit mund të ndikojë në vlerësimin përfundimtar të jurisë.
Në garë është edhe Mbappe, i cili pati një sezon të jashtëzakonshëm sa u përket statistikave individuale. Francezi përfundoi si golashënuesi më i mirë në La Liga, në Ligën e Kampionëve dhe në Kupën e Botës, por nuk arriti të fitojë trofe me Real Madridin apo me përfaqësuesen e Francës.
Dhjetë golat e shënuar në Kupën e Botës e bënë atë golashënuesin më të mirë në historinë e këtij kompeticioni, me gjithsej 22 gola.
Ndërkohë, Yamal, i cili vitin e kaluar përfundoi në vendin e dytë pas Dembélés, mbetet një nga emrat më të përfolur të futbollit botëror. Megjithatë, një lëndim në muskujt e kofshës ia ndërpreu sezonin me Barcelonën, ndërsa në Kupën e Botës Spanja u dallua kryesisht për forcën e saj kolektive.
Përzgjedhja e fituesit bëhet nga gazetarë sportivë të 100 vendeve më të renditura në FIFA. Secili prej tyre voton për dhjetë futbollistë nga lista e ngushtë prej 30 kandidatësh, duke u dhënë pikë sipas renditjes së tyre. Çmimin e fiton lojtari që grumbullon më së shumti pikë.
Përveç prestigjit sportiv, “Topi i Artë” mund të ndikojë edhe në vlerën komerciale të futbollistëve, si dhe të sjellë bonuse nga klubet dhe partnerët e tyre.
Ceremonia e këtij viti shënon gjithashtu herën e parë që organizohet në Angli, në nder të Stanley Matthews, fituesit të parë të “Topit të Artë”, në vitin 1956.