Dy gazetarë janë kanosur të dielën e 11 dhjetorit në veri të Mitrovicës, përkatësisht në fshatin Rudar të Zveçanit.
Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës në raportin 24-orësh, ku thuhet se rasti po vazhdon të hetohet.
“Dy viktimat kosovarë/gazetarë kanë raportuar se përderisa kanë qene duke i marrë disa pamje nga barrikadat, një i dyshuar mashkull ka kryer veprën e cekur ndaj tyre. Viktimat janë ndjerë të kanosur dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes. Rasti vazhdon të hetohet”, ka njoftuar policia.
Më 10 dhjetor, ekipi i gazetarëve të RTV Dukagjinit është sulmuar nga persona të panjohur më mjete shpërthyese gjatë raportimit të tyre nga rruga e bllokuar nga serbët në Rudar.
Serbët lokalë kanë bllokuar rrugët në veri të Kosovës, pasi Policia e Kosovës arrestoi një ish-polic serb. Sipas dëshmive të Policisë së Kosovës dyshohet se ai ka organizuar sulmin terrorist në zyrat e KKZ-së në Veri të Mitrovicës.
Ndryshe, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur shqetësimin për rrezikun e vazhdueshëm që po u kanoset gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve gjatë raportimeve të tyre nga veriu i Kosovës.
“Gjatë orëve të vona të ditës së sotme, në ndërkohë që po raportonin për situatën në veri, një eksploziv shpërtheu fare pranë ekipit të RTV Dukagjinit. Përgjatë raportimit të drejtpërdrejtë të gazetares, Doruntina Bylykbashi, shihet dhe dëgjohet shpërthim i madh”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Sipas AGK-së brenda dy ditësh ka pasur dy sulme ndaj gazetarëve të cilët po raportojnë nga veriu i Mitrovicës.
Andaj, AGK-ja u bën sërish thirrje “institucioneve kompetente që të marrin masa për të siguruar gazetarët gjatë raportimeve të tyre”.