Të martën (12. 12. 2023), nga ora 13:00, në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Komisioni Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, na e mundësoi një dëgjim publik për Draft-Statutin e UP-së që është dërguar për miratim në Kuvendin e Kosovës. Sigurisht, një pjesë e personelit akademik, e mësuar të shpërfillet nga udhëheqësit prepotentë të universitetit tonë, ishte e befasuar që iu dha kjo mundësi. Në mesin e të befasuarve isha edhe unë, që kam reaguar disa herë për qasjen e çuditshme të Rektoratit dhe Ministrisë së Arsimit ndaj arsimit universitar (të pranishëm nuk ishin: rektori, prorektorët, dekanja, shefat dhe disa profesorë. Sipas fjalëve që qarkulluan aty, disa s’kishin ardhur, sepse rektori u kishte thënë të mos merrnin pjesë në atë dëgjim publik, se, siç e merrni me mend, kanuni i tij nuk diskutohet, por vetëm zbatohet; ndërsa disa të tjerë s’kishin ardhur, sepse ishin “idhnu” që u janë ulur rrogat). Arsyet e shpërfilljes së reagimeve të mia nga rektori dhe zonja ministre mund të kenë qenë dy: 1. të adresuarit janë plot vetëbesim, rrjedhimisht e shohin veten të pagabueshëm; 2. të adresuarve u duhet një formim tjetër për ta kuptuar informimin tim.
Meqë për pyetjet që u kam bërë (publike dhe interne) rektorit dhe ministres, s’kam marrë përgjigje, s’e kam ndërmend t’u drejtohem prapë. Me këtë po u drejtohem atyre që nesër do ta kenë këtë Draft-Statut në rend dite për ta votuar në Kuvend. Ky Draft-Statut ka aq shumë gabime (jo vetëm gjuhësore) dhe kontradikta, enigma dhe surpriza, saqë gjëja e parë që duhet të bëjnë deputetët është ta rikthejnë për rishikim, nëse jo për rishkrim nga fillimi. E, në fakt, qysh në fillim, lëshimet janë të dukshme. Në nenin 1 nuk bëhet një distancim nga universiteti homonim që gjendet në Mitrovicë të Veriut (wikipedia thotë se të dy universitetet janë themeluar më 1969, dhe të dy quhen Universiteti i Prishtinës, të dy janë në Kosovë, vetëm se universiteti serb ka dy data themelimi: 1999, de facto, dhe 1969, de jure, sipas serbëve. Një mosdistancim i tillë pati shkaktuar atë gafën e njohur të rektorit aktual që qe mburrur me ngritjen e UP-së në një ranglistë spanjolle, e cila universitetin tonë e njihte si universitet të Republikës së Serbisë. Kjo i bie si të dalësh për të brohoritur për “Hasan Prishtinën”, ndërkohë që në duar mban flamurin e Serbisë). Në nenin 2, nuk tregohet pse Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, nuk do të quhet kështu në dokumentet zyrtare. E kam thënë edhe më parë: s’kam qenë dakord kur ia vunë emrin, s’jam dakord as tani që po ia heqin. S’isha dhe s’jam dakord, sepse ashtu siç nuk dhanë arsye për vënie, s’japin arsye as për heqje. Nëse kanë arsye, le t’ia heqin emrin Hasan, e le t’ia vënë Qerim, nuk më prish punë. Vetëm le të veprojnë me arsye.
Në nenin 6, ku flitet për barazinë, thuhet “Universiteti respekton parimet kushtetuese të mosdiskriminimit dhe të ofrimit të mundësive të barabarta” dhe “Universiteti obligohet të krijojë mundësi të barabarta për të gjithë”, ndërsa, siç e potencuan profesoreshat që morën pjesë në dëgjim publik, neni pasues e rrëzon këtë nen. Në nenin 7, te pika 1, thuhet: “Universiteti siguron dhe mbështet barazinë gjinore”, ndërsa te pika 2, paralajmërohet: “Në rastet kur kandidatët burra dhe gra i kanë kualifikimet dhe të arriturat profesionale të barabarta, përparësi do t’i jepet kandidates grua”. Reagime për këtë pati vetëm nga gratë. Unë, natyrisht, jam dakord që t’u jepet përparësi grave (për shumë arsye), por vetëm duhet riformuluar, ose duhet thirrur dikë që di të shkruajë. E di që hartuesit kanë dashur të thonë diçka tjetër, por në statut lexohet teksti, jo ajo çka ka dashur të thotë “autori”. S’ka asgjë jashtë tekstit, thotë Derrida. Po në këtë nen, thuhet se për gratë dhe personat me nevoja të veçanta do të ketë politika afirmative. Prapë kam frikë se futja e dy kategorive të ndryshme në një, nuk është menduar mirë, dhe çdo grua mund ta kuptojë se, siç thuhet, duke ia ndrequr vetullat, ia kanë nxjerrë sytë.
Megjithatë, reagimi është për diçka tjetër, që lidhet jo vetëm me dy departamentet nacionale (albanologjike), Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë Shqipe, por edhe me politikën servile që promovon Draft-Statuti, sipas të cilit vetëm profesorët, punimet e të cilëve dalin në platforma të huaja, janë të denjë të japin mësim në Universitetin e Prishtinës. Punë e madhe nëse profesorët kanë libra, punime shkencore, përkthime, pjesëmarrje në konferenca, shpërblime, mirënjohje, njohje (famë) kombëtare e ndërkombëtare. Edhe po të kenë ndonjë Nobel, prapë s’janë të denjë për UP. Nëse nuk publikojnë në dy platformat që i imponon “Statuti”, asnjë pikë s’e marrin. Dhe, jo vetëm që s’e marrin asnjë pikë, por, sipas neneve 155, 156, 157, rrezikojnë t’u merren edhe thirrjet që i kanë marrë (pra, nuk u lejohet as rizgjedhja në thirrjen e fituar, nëse s’kanë asnjë publikim aty ku këmbëngulin ata që e bëjnë kanunin).
Të gjithë e dimë se, në emër të arritjes së standardeve evropiane, Kosova qe futur nën protektorat. Si ka mundësi që askush s’e kupton që, po në emër të arritjes së standardeve evropiane, Universiteti i Prishtinës po futet nën protektorat? Kanë thënë se duhet të na mbikëqyrin të huajt, se ne s’dimë të mbajmë shtet; po thonë se punimet tona duhet t’u nënshtrohen vlerësimeve të të huajve, se ne s’dimë të shkruajmë, as të botojmë. Çka është ky servilizëm? Disa që bëjnë shkrime kolektivisht, ndoshta vërtet s’dinë të shkruajnë, mirëpo ka plot të tjerë që dinë dhe s’e pranojnë as konceptin “autor i parë”, apo “autor i dytë”, sepse puna intelektuale, sidomos në fushat ku tregohet kulturë shkrimi dhe leximi, dhe ku kërkohet identitet intelektual, njeh vetëm konceptin “autor”, që do të thotë “autor i vetëm”.
Draft-Statuti përpiqet të aplikojë të njëjtin standard te të gjithë. Kjo është çmenduri. Mandati menaxherial i një personi mund të mos jetë i plotë, por personi që harton Draft-Statutin s’duhet të jetë i mangët. Prandaj, mangësitë e këtij drafti duhet të plotësohen, të rregullohen, në mënyrë që të ndihen të plotë dhe të përmbushur edhe hartuesit e tij.
E dimë që gjuha juridike është e thatë, jo vetëm në gjuhën shqipe. Mirëpo gjuha e këtij Draft-Statuti është kërcënuese, zhvlerësuese dhe penalizuese. Asnjëherë inkurajuese, apo motivuese. Diskursin kërcënues, zhvlerësues dhe penalizues e gjeni vazhdimisht, e sidomos në nenet që lidhen me avancimin dhe publikimet. Një gjuhë e tillë nuk mund të tolerohet edhe sikur selia e Scopus-it të ishte te ëmbëltorja “Missini”, në oborr të fakultetit, e jo më në Amsterdam. (E, kush e ka menduar që do të vijë dita që ai vend, i njohur për drita të kuqe, do t’ua ndezë profesorëve dritën jeshile për avancim?!)
Neni 161 flet për rregullore të veçantë për Fakultetin e Arteve. Kam kryer studimet në Fakultet të Arteve dhe në Fakultet të Filologjisë, dhe e di që shumë më specifike (dhe më të pamundura për t’iu nënshtruar vlerësimit ndërkombëtar), duke qenë nacionale, janë departamentet albanologjike (Departamenti i Letërsisë Shqipe dhe Departamenti i Gjuhës Shqipe) të Fakultetit të Filologjisë sesa Fakulteti i Arteve. Kjo është aq e kuptueshme saqë kam frikë se vetë sqarimi mund të merret si një lloj ofendimi.
Pra, s’ka rregullore të veçantë për departamentet albanologjike, por ka për Fakultetin e Arteve. Mendoni pak për këtë! Profesorit të Fakultetit të Arteve i merren parasysh veprat artistike, ndërsa profesorit të letërsisë – jo. A nuk e kuptojnë që edhe një roman është vepër artistike, dhe që Departamenti i Letërsisë Shqipe ka edhe shkrimtarë, të cilët, natyrisht, janë artistë? Apo nuk e dinë që letërsia është art?
Në tekstin “Kambana e Universitetit” (të publikuar në muajin shkurt), kam folur për fiksimin e Rektoratit dhe Ministrisë me platformat Scopus dhe Web of Science, dhe s’dua të humb kohë prapë duke folur për to, por disa fjalë duhet t’i shtoj këtu patjetër. Besoj se të gjithë e dinë se ato platforma janë vetëm databaza. Nëse shkenca paska mbetur në databaza, mjerë ne e mjerë shkenca. Për më shumë, ato janë databaza me buxhet prej miliardash (Scopus është databazë e Elsevier-it, që ka një buxhet rreth tre miliardë dollarë në vit, kurse kompania e Web of Science të hyrat brenda vitit i ka rreth katër miliardë në vit, ndërsa totali i aseteve kap shifrën 13 miliardë në vit). Si mundet shteti ynë të ndjekë një politikë që të detyron të bëhesh shërbyes idiot i një kapitalizmi që bie erë korrupsioni akademik? Para disa vitesh, këto platforma kritikoheshin edhe në wikipedia dhe në artikuj të tjerë që qarkullonin në google, mirëpo, parja që e kthen ujin përpjetë, tash kontrollon gjithçka, pra edhe ata artikuj. Megjithatë, është fakt i pamohueshëm që disa revista që kanë qenë pjesë e këtyre platformave, janë hequr (kinse për arsye cilësie, por, me gjasë, për arsye mospagese). (Parantezë: Para pak ditësh isha në një konferencë në Selanik, ku fola për dy tekste filozofike të dy shkrimtarëve të mëdhenj, Kazantzakis dhe Unamuno. Kur dolëm për kafe, e pyeta një profesoreshë të njohur të Universitetit Aristotel, nëse profesorët atje janë të obliguar të botojnë në Scopus dhe Web of Science. Ajo qeshi, pastaj tha “nuk e kanë të ndaluar, por, natyrisht, nuk e kanë të detyruar”. Dhe shtoi se janë të detyruar të botojnë në revista të profilizuara greke).
Insistimi i disave, tashmë nëpërmjet një “statuti”, për të botuar në këto dy platforma, duhet t’i aktivizojë organet e drejtësisë t’i shikojnë qarkullimet bankare të insistuesve dhe të miqve të tyre. Më falni që dyshoj, por një hulumtim i tillë nëpër llogaritë e atyre që s’u intereson shkenca, por platformat miliardëshe, nuk më duket i panevojshëm. Në Angli kundër këtyre platformave, para shumë vitesh, ka reaguar edhe profesori i mirënjohur, Terry Eagleton. Ai mund të botonte në cilëndo platformë, por i refuzonte të gjitha.
Scopus dhe Web of Science janë vetëm databaza. Një fëmijë do ta kuptonte “rëndësinë” e tyre, kurse hartuesit e Draft-Statutit s’e kuptojnë. Vërtet t’u ketë ikur truri? Në nenin 152, thuhet se punimet në këto dy platforma do të jenë komponente vendimtare për avancim. Njerëzit me mend në kokë nuk mund ta bëjnë këtë kërcënim.
Hajt po e zëmë se dyshimet e mia janë të pabaza dhe po botoj në ato databaza. Pasi të botoj, revista mund të vlerësohet si zhvatëse dhe të hiqet nga platforma (një praktikë e shpeshtë kjo në këto platforma), atëherë i bie që unë, që kam paguar një mijë euro (apo edhe më shumë) për t’u botuar aty, kam botuar në një revistë mashtruese, apo zhvatëse, dhe, sapo të kuptohet kjo, organizohet një protestë në oborr të fakultetit, ose të rektoratit (ku, çuditërisht, nuk po protestohet për heqjen e emrit të atdhetarit Hasan Prishtina), me megafon: vareni, se ka publikuar në revista mashtruese!
Prandaj, kryeministri, kryekuvendari dhe të gjithë deputetët, që janë ulur në Kuvend falë besimit tonë, duhet të mendojnë para se ta miratojnë këtë Kanun të UP-së, apo këtë Skandal-Statut, që persekuton dijen dhe krijon kushte për linçime publike të profesorëve. Ky “Statut” ka edhe shumë gabime të tjera: s’e ka menduar mirë karakterin multietnik të shtetit (komunitetet e tjera, kur ta lexojnë, do të ndihen të indinjuar); s’i njeh termat teknikë; të çon te rregulloret e veçanta, që janë (p. sh., rregullorja e studimeve doktorale) edhe më pus se statuti; i detyron albanologët shqiptarë të vlerësohen nga të huajt (ky është kulmi); për stafin akademik të Fakultetit të Arteve, thotë se për t’u avancuar në profesor asistent, kandidati duhet “të ketë krijuar punime artistike” (neni 155), ndërsa për t’u avancuar në profesor të asocuar, duhet “të ketë krijuar punime të vërteta artistike” (neni 156), pra, njërit i lejohet punimi dosido (i dobët, plagjiat), kurse tjetrit i kërkohet “punim i vërtetë artistik”.
Departamentet albanologjike (Gjuha dhe Letërsia) sivjet kanë qenë në krizë, për të cilën nuk janë shqetësuar fare as zonja ministre, as rektori, as senati, as këshilli drejtues, as dekanja, as shefat e departamenteve. Por, besoj që ky “statut” do ta zgjidhë statusin e këtyre departamenteve. Si? Duke i mbyllur.
Askund nuk flitet për themelimin e revistave universitare. Domethënë, sipas “Statutit”, ne nuk do të bëjmë revista, por do të botojmë në revista të huaja. Pra, ne vlejmë veç nëse thonë të huajt se vlejmë. Ec e mos qesh! Te neni 126 thuhet se njësia akademike nxjerr revista profesionale. Pse po rrejnë? Revistat e njësive akademike dalin një vjet po, dy vjet jo. Edhe po të botosh aty, nuk fiton pikë. Pra, pse të botosh? Rektori dhe dekanët (aktualët dhe të mëparshmit) nuk besojnë në profesionalizmin e njësive tona akademike. Kush është ai që mund ta kuptojë paradoksin e tyre?
Si mund të kërkojë standarde dikush që s’i vë vetes standarde për t’i krijuar stafit akademik kushte për avancim? Nuk është e rastit që dikund (neni 119) thuhet se “Universiteti bën punë artistike”. Më pëlqen kur në gjuhë juridike përdoren figura letrare si personifikimi. Universiteti ynë, nuk do, se po të dojë, mund edhe të shkruajë poezi, mund të këndojë, edhe t’i bjerë fyellit.
Ky “Statut” nganjëherë të duket si tekst fetaro-politik, që flet për “besim politik” (pra, partitë nuk i sheh si grupe interesi, por si grup besimtarësh), herë si kod etik, ku fjala “nder” (moral, etikë) përmendet 34 herë, saqë të mbushet mendja se po lexon Kanunin e Lekë Dukagjinit, jo Statutin e Universitetit të Prishtinës. E di që Kanuni na e ndalon t’i themi tjetrit “po rren”, po s’i të përmbahesh pa ia thënë kur “Statuti” është plot gënjeshtra?
Gënjeshtra, gabime e lëshime ka gjithandej në këtë Draft-Statut, ku hartuesit e tij nuk dinë t’i përdorin shenjat e pikësimit, përdorin inversion dhe figura letrare në tekst juridik, dhe s’e zgjedhojnë dot as foljen “zgjedh” (shih nenin 127, pika 3, dhe nenin 153, pika 3). (Për këtë u sugjeroj ta marrin për konsultime, së paku, ndonjë student nga Departamenti i Gjuhës Shqipe). Këto gabime janë rezultat i vetëbesimit të tepruar të hartuesve. Po ashtu, emërtimet e disa fakulteteve në këtë “Statut” (shih nenin 47) dhe në objektet e tyre, si dhe në dokumente përkatëse, vijnë si kalke nga gjuha serbe (p. sh., Fakulteti Filozofik, serbisht: Filozofski fakultet), në vend se të shkruhet shqip: Fakulteti i Filozofisë (madje edhe z-ja te “filozofia” duhet të nxirret në diskutim). Edhe Fakulteti Juridik (e njëjta logjikë!) mund të quhej Fakulteti i Drejtësisë (siç e ka Tirana, për shembull). As Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore, nuk ka kuptim të quhet ashtu, sepse gjuha shqipe ka rregulla të tjera. Mund të quhej, p. sh., Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore, ose Fakulteti i Shkencave Matematikore-Natyrore, apo, më mirë si në Shqipëri, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, brenda të cilit futet Departamenti i Matematikës. Por, këto janë detaje që nuk ua kanë vrarë syrin hartuesve të ligjeve.
Në nenin 151, thuhet se universiteti ynë ka program për kthimin e trurit (“brain gain”). A mund të flasin për kthimin e trurit, këta që kanë hartuar një statut që ta heq trurin?