Kardiologu, Gani Bajraktari, ka aderuar në Nisma Socialdemokrate.
Aderimi i tij u bë të shtunën përmes një konference për media.
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, tha se Bajraktari do të jetë në listë për deputetë në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa do ta udhëheqë sektorin për shëndetësi.
“Nga sot i është bashkuar një prej kontributdhënësve më të mëdhenj në fushën e shëndetësisë, Prof. Dr. Gani Bajraktari. Doktorit i jemi shumë mirënjohës dhe falënderues për vendimin e ti që të bashkohet me ne, për të nisur një angazhim të përbashkët për të mirën e Kosovës, e që doktori e ka dëshmuar gjithnjë, varësisht nga rrethanat dhe nevojat e vendit. Nisma Socialdemokrate është e nderuar për ardhjen e një personaliteti të jashtëzakonshëm, dhe shembulli i doktorit duhet të shërbejë për të inkurajuar njerëzit e profileve të ndryshme, që përmes aktivizimit politik të kontribuojnë për vendin, sepse Kosova ka nevoje për njerëz të tillë”, tha Limaj.
Ndërsa kardiologu, Gani Bajraktari, theksoi se nuk ka mundur të rezistojë ndaj gjendjes së krijuar, që sipas tij ka një ngecje, kështu në këtë mënyrë ai tha se po hyn në rrugën e politikës.
“Asnjëherë nuk më ka shkuar mendja te hyjë në politikë sepse e ndiej veten mirë në shkencë, nuk kam mundur të rezistojë karshi gjendjes së krijuar në Kosovë e veprimtarive në Kosovë. Kemi një ngecje në proces që në terminologjinë moderne quhet dështim”, tha Bajraktari.
Ndërsa, arsyeja se pse ka zgjedhur partinë Nisma,k ai tha se është qëndrueshmëria e liderit të kësaj partie, “që ka luftuar për lirinë e vendit dhe la gjurmë në ndërtimin e infrastrukturës”.