Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, ka deklaruar se SHBA-ja është duke e ndihmuar Kosovën në realizimin e hetimit lidhur me sulmin e 29 nëntorit në kanalin e Ibër-Lepenc.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës“, Kasanof shtoi se është jetike që çdo hetim të ndjekë faktet në terren dhe të shqyrtojë informacionet për të siguruar një hetim të besueshëm.
“Ai ishte një sulm i tmerrshëm. E kemi dënuar me fjalët më të forta të mundshme dhe do ta ritheksoj këtu që dënojmë çdo lloj sulmi të tillë. Po e ndihmojmë Kosovën dhe qeverinë e Kosovës që të kryejnë hetimin. Kemi ndihmuar duke vënë në dispozicion burime për këtë qëllim. Dhe mendojmë se është me rëndësi kritike që çdo hetim të ndjekë faktet në terren, të shqyrtojë si duhet të gjitha informacionet aty dhe të punojnë me partnerët ndërkombëtarë në këtë kontekst për t’u siguruar që do të ngrihet një hetim i besueshëm. Ajo që mund të them është që akte të tilla janë jo vetëm të tmerrshme por janë ndërtuar qartësisht për të krijuar destabilitet dhe i refuzojmë në mënyrën më të fortë”, ka thënë Kasanof.
Në lidhje me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Kasanof theksoi mbështetje për përpjekjet e të dyja palëve që të bëjnë përparim dhe të vazhdojnë dialogun të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
” Kjo administratë, edhe teksa i afrohet fundit, do të mbetet e përqendruar tek ndihma për Kosovën, mbështetja për Kosovën, jo vetëm për reformat dhe përpjekjet që po bëjnë në rrugën e integrimit me strukturat euro-atlantike, por edhe teksa punojnë për çështje që janë në thelb të dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Po mbështesim një përfundim të suksesshëm dhe do të vazhdojmë t’u kërkojmë të dyja qeverive në Prishtinë dhe Beograd që të vazhdojnë të bëjnë të gjitha përpjekjet e mundshme për të bërë përparim në atë dialog. Do të vazhdojmë të ndihmojmë në këtë drejtim”, ka shtuar Kasanof.