Nexhmedin Kastrati, pjesëmarrës në luftën e Bosnjës, ka deklaruar se Serbia ka zero mundësi që ta sulmojë Bosnjën, për shkak se kjo e fundit tashmë ka partneritet me NATO-n.
I ftuar në emisionin “Five” në RTV Dukagjini, Kastrati ka thënë se presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, ndonëse ka lidhje direkte politike me presidentin e Rusisë, Vlasimir Putin, megjithatë ai nuk e ka fuqinë që ta destabilizojë Bosnjën pavarësisht tentimeve të tij.
“Është presion politik edhe ushtarak edhe në shtetin e Bosnjës, Dodik ka lidhje direkte private me Putinin, po e shfrytëzon situatën në Bosnjë, po e krahason Kosovën dhe xhelozon atë, po mundohet të destabilizojë Bosnjën. Ushtarakisht, Dodik i ka shanset zero që ta destabilziojë Bosnjën, sepse nuk ka fuqi. Bosnja ka partneritet me NATO-n. Ndoshta provojnë me grupe sikurse në Banjskë, mirëpo direkt që të organizojë dhe planifikojë luftë në Bosnjë dhe Kosovë, nuk ka shanse”, tha Kastrati.
Sa u përket sulmeve serbe ndaj Kosovës, Kastrati thotë se të gjitha tentimet duhet të merren më me seriozitet.
Po ashtu, ai foli edhe për blerjen e armatimit si raketat “Jeweline”, për të cilat tha se janë të sofistikuara, precize, për shkatërrimin e të gjitha mjeteve të blinduara, dhe kjo mund t’i shkatërrojë të gjitha mjetet e blinduara që Serbia mund t’i posedojë.
“Kjo e frikëson Serbinë… Kur ushtari është i armatosur mirë, ai e ka motivin shumë më të lartë për të luftuar, thotë Kastrati. Morali i një ushtari që e mbron tokën e vet është 100 për qind më i ngritur se i atij që e sulmon. Serbia nuk është ndalë kurrë së sulmuari Kosovën në mënyrë të ndryshme, ajo quhet luftë speciale, na lufton ushtarakisht, politikisht, ekonomikisht, krejt metodat dhe mënyrat i përdor në luftën speciale kundër Kosovës… ata të gjitha planifikimet i bëjnë”, shtoi më tej ai.
Lajçi: Të kihet kujdes të mos biem pre e kurtheve të Serbisë
Njohësi i zhvillimeve politike, Driton Lajçi, ka thënë se kur bëhet fjalë për luftë, armë, nuk është shaka, aq më shumë kur vijnë nga faktorët seriozë siç është qeveria serbe.
“Rasti i Banjskës, është mesazh i qartë për Kosovën, Serbia nuk po bën shaka. Nuk mund të flasim se mund të ketë ndonjë sulm frontal ndaj Kosovës megjithatë se e nxit, e mbështet një lloj kryengritje në Kosovë, kjo është e besueshme, sepse e kemi provën. Duhet t’i rritim kapacitetet tona për paqe, siguri, mbrojtje në rast nevoje. Nuk duhet të përdorim retorikën luftënxitëse, as krekosje e as panik pa nevojë, sepse këto kanë ndikim edhe në rrafshin individual…”, tha ai.
Sipas tij, për Kosovën është një mburrje që të pajiset me armatim të sofistikuar.
“Serbia historikisht nuk është ndalë së ushqyeri propagandën e vet për luftën e drejtë në Kosovë dhe për Kosovën e shenjtë. Së dyti, Serbia ka thënë se nuk do të heqë dorë nga Kosova dhe do t’i përdorë të gjitha mjetet politike, diplomatike, ekonomike, përjashtimisht ka thënë së kësaj radhe nuk do t’i përdorim mjetet ushtarake. Mirëpo, kjo e fundit tregon se ata i kanë dërguar disa sinjale si testime se si do të reagojnë ndërkombëtarët. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe jo gjithçka që vjen nga Serbia të marrim si të vërtetë apo si të kryer. Të pavërtetat e Serbisë nëse i plasojmë në opinion publik, i bëjmë favor Serbisë”, shtoi ai.