Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po manipulon me nënshkrimin e marrëveshjes me Serbinë.
I ftuar në emisionin “Debat Plus”, Kastrati ka thënë se Gjykata Kushtetuese nuk do të jetë fushëbeteja e vetme.
Sipas tij, kreu i ekzekutivit e ka lidhur fatin e tij politik me fatin e Kosovës.
“Albin Kurti e ka sjellë situatën që Kosova të jetë e enklavizuar… ky është hapi parë fatal, goditës për shtetësinë e Kosovës. Gjykata Kushtetuese nuk do të jetë fushëbeteja e vetme, ka me qenë fushëbetejë kjo puna me komisionin e arbitrazhit. Ky po mundohet me sjellë e mbështjellë, me interpretu, t’i mbajë në anestezion politik ata që janë në anestezion politik. Përtej politikës, retorikës, të qenit opozitar, jam i brengosur se si do të ballafaqohemi me këtë problem në të ardhmen. Po manipulon brutalisht me nënshkrimin e ujdisë”, tha ai.
Kastrati konsideron se prej kur Kurti ka hyrë në skenën politike, vendi ka degraduar.
“Prej kur ky njeri ka hyrë në skenën politike, ky vend është komplikuar dhe degraduar shumë. Nuk ka njeri më të kobshëm. Është i vetmi njeri që na ka njoftuar me gjakderdhje nëpër sheshe. E ka lidhur fatin e vet politik me fatin e Kosovës”.