Bashkim Kastrati nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka thënë se reshjet e mëdha dhe temperaturat e larta janë çrregullime që vijnë si pasojë e ndryshimeve klimatike.
Në emisionin “Rreth e Rrotull”, Kastrati ka thënë se ndryshimet klimatike janë duke ndodhur çdo ditë dhe se efektet e tyre po përjetohen çdo ditë nga qytetarët.
“Përderisa qeveritë e vendeve tjera marrin pjesë në samite e kongrese mbi ndryshimet klimatike, por realisht ndryshimet klimatike janë duke ndodhur dhe ne jemi dëshmitarë të tyre, efektet e tyre pi përjetojmë çdo ditë. Reshjet, temperaturat e larta janë çrregullime që vijnë si pasojë e ndryshimeve klimatike”, ka thënë Kastrati.
Sipas tij, tanimë një paqëndrueshmëri e motit është evidente pasi proceset në atmosferë janë të paparashikueshme.
“Nuk është e lehtë të elaborohet. Proceset në atmosferë janë të paparashikueshme”, ka vijuar Kastrati.
Ndërsa profesori i Meteorologjisë, Sylë Tahirsylaj ka thënë se është e vërtetë që reshjet kohëve të fundit i kanë kaluar edhe normat e kaluara por sipas tij faktori njeri duhet të sjellet më mirë, të respektojë ligjet e mjedisit dhe të mos degradojë natyrën që të mos kalohet në vërshime dhe përmbytje.

“Në Kosovë shkojnë në degradim të shtretërve të lumenjve, nuk respektohet ligjet mbi veprimtarinë hidrometorolgoijike të vendit, ligjet e mjedisit që janë të aprovuara në Bruksel nuk respektohen, instituti Hidrometorologjik i përcjell dhe i monitoron këto, dhe faktikisht aparatura është version që i përcjell. Në Skenderaj, Klinë, Deçan, Gjakovë, Ferizaj janë reshje që i kanë kaluar edhe normat e dikurshme, janë fenomene natyre, faktori njeri duhet të sjellet më mirë, të respektojë ligjet e mjedisit dhe të mos degradojë natyrën, pastaj ajo e ka rrjedhjen e natyrshme”, ka thënë Tahirsylaj.