Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ardian Kastrati, në lidhje me vendimin e Ministrisë së Arsimit për tekstet shkollore ka thënë se “përgjegjësi kryesor” është kryeministri, Albin Kurti, ndërsa ministrja, Arbërie Nagavci është “vartëse” e tij.
Në një konferencë për medie, Kastrati ka thënë se duhet të shtrohet pyetja se a “do të dalë gruaja e Albin Kurtit para librarive dhe të presë në temperatura të larta për furnizim me libra njësoj sikurse qytetarët e Kosovës”.
Sipas tij, edhe familja e Kurtit do të duhej të përjetonte këtë vendim, për të cilin po e pësojnë sipas tij qytetarët e Kosovës.
“Përgjegjësi kryesor është Albin Kurti. Shtrohet pyetja, gruaja e Albin Kurtit a do presë nëpër librari si prindërit e tjerë që kanë me pritë me orë të tëra në 30 gradë. Le të sjellë ta përjetojë familja e tij fatin e të tjerëve se sa po ec ekonomia, si po shkon arsimi. Nagavci është vartëse e tij, nuk besoj që ka qytetarë që i pëlqen ky vendim me dalë para librarive dhe me i përjetu të gjitha këto komplikime. Është situatë komplekse, kaotike”, ka deklaruar Kastrati.
Ai ka akuzuar qeverinë se po bën veprime të papërgjegjshme.
“Por, fatkeqësisht, kemi të bëjmë me një pushtet të papërgjeshëm, i cili përsërit vendime të papërgjejshme, pasojat e të cilit i bartin qytetarët e Kosovës. Ende pa përfunduar procesi i komisionit Hetimor, ministrja e Arsimit, duke shkelë ligjin dhe pa u futë në procedura të rregullta tenderuese e ka bërë prapë vendimin e njëjtë për subvencionimin e librave. Përveçse shkelje e rëndë, kemi një sërë trajektore të ngjarjeve që i kanë paraprirë këtij procesi”, ka theksuar Kastrati.
Ai ka thënë se ligji për tekstet shkollore pa kuorum ka kaluar në Kuvendin e Kosovës duke thënë se pati “vjedhje të votave”.
“Vitin e kaluar ne i kemi zënë në sallën e Kuvendit të Kosovës e kanë kaluar një ligj pa kuorum, ligjin për tekste i kanë vjedhë votat, tentojnë ta kthejnë Kosovën në kohën e ish-Jugosllavisë. Ai ligj kaloi pa vota, pa kuorum. Kemi ligjin pra që ka sponsorizuar Nagavci dhe ka kaluar pa kurfarë turpi”, ka shtuar Kastrati.
Edhe këtë vit, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës (MAShTI) do t’ua transferojë paratë prindërve në mënyrë që ata t’i blejnë pastaj tekstet shkollore për fëmijët e tyre për vitin e ri shkollor.
Ky është viti i dytë radhazi që Ministria do t’u ndajë mjete në llogaritë e tyre bankare prindërve që ata t’i blejnë vetë librat shkollore për fëmijët e tyre në shkollë fillore.