Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, ka bërë një krahasim mes ish-presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit aktual Albin Kurti, për investimet në infrastrukturë gjatë periudhës së tyre në pushtet.
Në një video të shpërndarë në Facebook, Kastrati ka theksuar se në vetëm gjashtë vjet qeverisje, Thaçi ka ndërtuar mbi 1,050 kilometra rrugë në autostrada dhe ka asfaltuar çdo fshat, ndërsa Kurti, për katër vjet, ka shtruar vetëm 5 kilometra rrugë.
Kastrati po ashtu i referohet ndërtimit të dhjetëra urave gjigande nga Thaçi, përfshirë ato që lidhin Kosovën me Shkupin dhe Durrësin, duke theksuar se Kurti ka ndërtuar vetëm një urë të vogël në Saradranë dhe po has vështirësi në përfundimin e një tjetër mbi Liqenin e Badocit.
“Hashim Thaçi, për vetëm gjashtë vjet qeverisje ka shtruar për mbi 1 mijë e 50 kilometra rrugë në autostrada nuk ka fshat që nuk është shtruar me asfalt. Albin Kurti për katër vjet qeverisje i ka shtruar 5 kilometra rrugë. Hashim Thaçi gjatë asaj kohe i ka ndërtuar me dhjetëra ura gjigande super moderne, nepër autostrada për Shkup e për Durrës. Kurti gjatë katër viteve ka ndërtuar një në Saradranë pesë metra, është duke përpjek me ndërtu një urë tjetër të Liqeni Badocit të gjatë vetëm 38 metra dhe s’po mundet me përfundu. Me që rast për mbi 50 për qind të qytetarëve të Anamoravës po detyrohen me prit aty me radhë për orë të tëra”, ka deklaruar ai.
Ai gjithashtu përmendi problemin që qytetarët e Anamoravës përballen me vonesa të mëdha.
“Hashim Thaçi ka ndertu për gjashtë vite rrugë në autostrada përgjysmë më shumë sesa shoku Tito, i Albin Kurtit”, ka deklaruar Kastrati në Facebook.