Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Prokurorial të Kosovës janë miratuar listat përfundimtare të aplikantëve për pozitën e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës dhe të kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.
Ndër aplikantët në garë për pozitën e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës është veç Zejnullah Gashi.
Ndërkaq, për pozitën e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, në garë janë Blerim Isufaj, Valdet Gashi, Atdhe Dema dhe Naim Abazi.
Edhe pse takimi ishte i hapur për media, KPK-ja fillimisht kërkoi që në pikën ku diskutohet kundërshtimi i prokurores Fitore Sadikaj ndaj vendimit të kryesuesit të Këshillit për moskonfirmimin e statusit të kandidatit për pozitën e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të mbahet me dyer të mbyllura.
Por, KPK-ja tashmë ka vendosur përjashtimin e prokurores Fitore Sadikaj nga gara për kryeprokuror të Prokurorisë Themelore, ndërsa Florie Shanolli është përjashtuar nga gara për kryeprokuror të Prokurorisë Speciale.
Vendimet janë marrë sipas tyre, pasi të njëjtat nuk i kanë plotësuar kriteret për pozitën e caktuar.