Policia e Kosovës ka bërë të ditur se katër persona janë përfshirë në një rrahje në Rahovec, e cila dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje në mes të dy palëve.
Në raportin 24-orësh të policisë, thuhet se në këtë rast dyshohet të jenë përdorur edhe armë zjarri duke shtënë disa herë në drejtim të panjohur.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e njërit prej tyre, është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 136 copë fishekë, 113 fishekë të pistoletës me gas dhe tri gëzhoja.
Në raport thuhet se të dyshuarit kanë pranuar tretman mjekësor dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.
“Janë arrestuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë, ku fillimisht pas një mosmarrëveshje në mes të dy të dyshuarve të cilët ishin përleshur në mes veti, në ndihmë njërit prej tyre i kishin shkuar edhe dy të dyshuar tjerë dhe kishin sulmuar fizikisht të dyshuarin tjetër. I dyshuari kishte shtënë disa herë me pistoletë në drejtim të panjohur për të cilën armë posedon leje. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga i dyshuari kanë sekuestruar një pistoletë me dy karikatorë me 136 fishekë, 113 fishekë të pistoletës me gas dhe tri gëzhoja. Të dyshuarit kanë pranuar tretman mjekësor dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.