Katër pyetjet pa përgjigje për dokumentet e klasifikuara të presidentit Biden

Presioni po rritet mbi presidentin amerikan, Joe Biden, për të dhënë detaje të mëtejshme në lidhje me dokumentet e klasifikuara

Ilustrim

Presioni po rritet mbi presidentin amerikan, Joe Biden, për të dhënë detaje të mëtejshme në lidhje me dokumentet e gjetura në shtëpinë e tij në Delaware dhe në një zyre në Uashington, të cilën ai përdorte dikur.

Lidhur me këtë, departamenti i drejtësisë ka caktuar një avokat të pavarur, për të hetuar nëse këto dokumente janë keqpërdorur, shkruan BBC.

Ende ka më shumë pyetje sesa përgjigje për dosjet.

Ja një vështrim në disa nga gjërat që ende nuk dihen.

 Çfarë përmbajnë ato?

Zoti Biden ka thënë se nuk e di se çfarë ka në dokumentet e gjetura.

Dhe derisa të dihet më shumë se çfarë përmbajnë, është e vështirë të thuhet saktësisht se sa serioze është kjo. Megjithatë, disa detaje kanë filluar të dalin në pah.

Burime për CNN dhe New York Times thanë se grupi i parë i 10 dokumenteve të klasifikuara përfshinte materiale informuese për vendet e huaja – duke përfshirë Ukrainën, Iranin dhe Mbretërinë e Bashkuar – nga koha e zotit Biden si zëvendëspresident.

Sipas CNN, këto dokumente ishin përzier me dokumente të tjera jo të klasifikuara, duke përfshirë detaje rreth funeralit të Beau Biden, djalit të presidentit, i cili vdiq në vitin 2015.

Ai gjithashtu raportoi se disa nga dokumentet ishin etiketuar si top sekret, niveli më i lartë i klasifikimit.

Ne dimë më pak për grupin e dytë të dokumenteve. Të enjten, avokati personal i zotit Biden lëshoi një deklaratë ku tha se dosjet ishin “të dhënat e administratës Obama-Biden”, që do të thotë se edhe këto datojnë që nga tetë vjetët e tij si zëvendëspresident.

Shtëpia e Bardhë më vonë tha se një kërkim për çdo dokument të mbetur të klasifikuar ishte përfunduar.

Kush kishte qasje?

Një burokraci masive që menaxhon operacionet bazë të qeverisë federale (e quajtur Administrata e Shërbimeve të Përgjithshme) është përgjegjëse për kalimin e pushtetit në Shtëpinë e Bardhë. Kjo detyrë e rëndë përfshin hyrjen e presidentit dhe zëvendëspresidentit të ri dhe nxjerrjen e atyre që largohen – dhe dosjeve të tyre.

Por, është ende e paqartë se kush mund t’i ketë trajtuar këto dosje në shtatë vjetët, qëkur Biden përfundoi mandatin e tij si zëvendëspresident.

Të vetmet sugjerime që mund të kemi janë se ku janë gjetur.

Grupi i parë i dosjeve u zbulua nga avokatët e zotit Biden në atë që Shtëpia e Bardhë e përshkroi si një dollap i mbyllur i zyrës së presidentit në Qendrën Penn Biden për Diplomaci dhe Angazhim Global, një institut kërkimi në Uashington.

Kurse, grupi i dytë u gjet më vonë në garazhin e shtëpisë së zotit Biden në Wilmington, Delaware. Një dokument me një faqe u zbulua në një dhomë ngjitur.

Hetuesit pa dyshim duan të dinë se kush kishte qasje në këto vende dhe sa të sigurta ishin ruajtur dosjet.

Republikanët e Kongresit kanë kërkuar të shohin regjistrat e vizitorëve për shtëpitë e zotit Biden, duke argumentuar se zbulimi i dosjeve në një nga rezidencat e tij është një rrezik për sigurinë kombëtare.

Pse pati vonesë për dalje në publik?

Sipas Shtëpisë së Bardhë, avokatët e zotit Biden gjetën për herë të parë dokumente të klasifikuara më 2 nëntor – vetëm një javë përpara zgjedhjeve afatmesme. Administrata tha se e raportoi zbulimin pikërisht atë ditë në Arkivin Kombëtar, i cili mori materialet më 3 nëntor dhe ia referoi çështjen departamentit të drejtësisë.

Vetëm në raportimin e këtij muaji nga CBS News, dokumentet e zbuluara u bënë publike ose u pranuan nga Shtëpia e Bardhë, duke nxitur akuza se ajo ishte mbajtur qëllimisht e heshtur përpara zgjedhjeve afatmesme.

“Ai me vetëdije e dinte se kjo ndodhi duke shkuar në zgjedhje, duke shkuar në intervista. Kjo është ajo që e bën Amerikën të mos i besojë qeverisë së tyre,” tha kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy.

Shtëpia e Bardhë, ndërkohë, ka mohuar se ka pasur një vonesë të llogaritur për të dalë në publik.

Zoti Biden ka thënë se ishte “i befasuar” kur mësoi se në zyrën e tij të vjetër u gjetën dokumente të klasifikuara. Nuk është e qartë se kur, saktësisht, ai mësoi për ekzistencën e tyre.

Por mbajtja private e një zbulimi të tillë është “normale”, tha David Weinstein, një prokuror zyrtar federal në Florida.

“Nuk është vendi juaj si objektiv apo dëshmitar i një hetimi për të thënë se çfarë ka ndodhur, është në dorën e njerëzve që e hetojnë atë që të vendosin se çfarë të thonë dhe kur ta thonë”, tha ai.

Cilat mund të jenë dënimet?

Është shumë herët të thuhet nëse presidenti apo ndonjë nga bashkëpunëtorët e tij do të përballen me ndëshkime ligjore.

Ne e dimë se Prokurori i posaçëm i sapoemëruar, Robert Hur, do të shqyrtojë “heqjen dhe mbajtjen e mundshme të paautorizuar të dokumenteve të klasifikuara” – një vepër sipas kodit penal të SHBA, shkruan BBC.

Disa gjëra i bëjnë të pamundura akuzat penale, sipas Weinstein.

Së pari, për të ngritur akuza një prokuror duhet të provojë qëllimin – se dosjet janë hequr me vetëdije dhe janë mbajtur nga zoti Biden ose ekipi i tij. Dhe e dyta, tha ai, është politika e qëndrueshme e departamentit të drejtësisë për të mos ndjekur akuza kundër një presidenti në detyrë.

“Është një problem më i madh politikisht për zotin Biden sesa përsa i përket akuzave penale”, tha Weinstein.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika