Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës thuhet se kanë ndodhur gjithsejtë katër raste të dhunës në familje në Kosovë.
Tri nga këto raste janë vetëm në rajonin e Prishtinës ndërsa një është regjistruar në rajonin e Gjilanit.
Një rast i dhunës në familje ka përfunduar me disa të lënduar të cilët kanë marrë edhe trajtimin mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar.
“Prishtinë 23.01.2025 – 14:30. Është arrestuar i dyshuari për shkak se pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht gruan e tij, prindërit dhe tezen e gruas. Viktimat kanë pranuar trajtim mjekësor ndërsa i dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje”.
Edhe në rastin tjetër, në Fushë Kosovë, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
“Fushë Kosovë 23.01.2025 – 18:00. Është arrestuar i dyshuar Asgjë me rëndësi për të raportuar për shkak se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij. Viktima ka deklaruar se nuk ka nevojë për trajtim mjekësor. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin policor.
Në rastin e tretë, i dyshuari është në kërkim policor.
“Prishtinë 23.01.2025 – 21:00. Ankuesja ka njoftuar policinë se i dyshuari me të cilin bashkëjeton e ka sulmuar fizikisht djalin e tyre (të mitur) dhe e ka kanosur viktimën. I dyshuari nuk është takuar në shtëpi dhe i njëjti është në kërkim policor. Rasti në hetime”.
Kurse në rastin e katërt, në Gjilan, policia ka arrestuar të dyshuarin i cili ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
“Gjilan 21.01.2025 – 17:14. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Viktima ka refuzuar trajtimin mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.