Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri njofton se nga aksidenti mes dy trenave në Greqi në mesin e viktimave janë dhe katër shqiptarë.
“Në radhët e viktimave të aksidentit tragjik hekurudhor në Larisa konfirmohen deri më tani katër shtetas shqiptarë dhe me origjinë shqiptare. Ata janë: Ifigjenia Micka, Pavlin Bozo, Joanis Xhollas, Klaudia Lato”, ka deklaruar Ministria e Jashtme.
Intritucionet shqiptare kanë bërë të ditur të ditur se po presin rezultatet e ADN-së edhe për një shtetas tjetër shqiptar që është deklaruar i zhdukur nga familjarët e tij dhe policia greke.
Nga përplasja e dy trenave kanë vdekur të paktën 57 persona dhe janë lënduar dhjetëra të tjerë. Në mesin e të lënduarve janë edhe tetë shtetas shqiptarë, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë. Ata po marrin trajtim të specializuar mjekësor në spitalin e Larisës në Greqi.
Shqipëria ka shpallur ditë zie kombëtare ditën e diel, më 5 mars, për të nderuar viktimat e këtij aksidenti. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike në Shqipëri, flamujt do të ulen në gjysmështizë.
Në Greqi janë duke vazhduar ende operacionet e shpëtimit dhe pritet identifikimi edhe i një personi tjetër.
Ky aksident, për të cilin Qeveria ia ka lënë fajin gabimit njerëzor, ka nxitur zemërim dhe protesta në Greqi.
Ministri grek i Transportit dha dorëheqje pas përplasjes së trenave, ndërsa në vend është hapur një debat i madh mbi sigurinë në transportin hekurudhor. REL