Tre njerëz u arrestuan në Danimarkë dhe një tjetër në Holandë nën dyshimin se po përgatitnin një sulm terrorist, kështu ka bërë të ditur Policia e Danimarkës të enjten.
Policia nuk tregoi se cilat ishin motivet e të dyshuarve, apo nëse ato ndërlidheshin me militantët islamistë, apo grupet e ekstremit të djathtë.
Shërbimi danez i Inteligjencës dhe Sigurisë, PET, ka thënë në gusht se kërcënimi ndaj Danimarkës ishte rritur shumë pasi aktivistët kundër islamit i kishin njollosur disa kopje të Kuranit gjatë verës.
“Hetimi ka zbuluar se një rrjet i njerëzve po përgatiste një sulm terrorist”, ka deklaruar të enjten në Kopenhagë, Flemming Drejer, nga PET.
Ai ka theksuar se arrestimet dhe bastisjet e kryera të enjten u bënë si pjesë e një hetimi intensiv që PET-i e kishte kryer në bashkëpunim me “partnerët tanë nga jashtë”.
Bastisjet policore janë duke vazhduar nëpër vend, ka shtuar ai.
Rrjeti kishte lidhje me krimin e organizuar në Danimarkë dhe jashtë saj, përfshirë me një grup kriminal me emrin Loyal to Familia, apo LTF, ka thënë Dreyer, por nuk deshi të tregojë se cilat ishin motivet.
“Kjo është tejet serioze”, ka deklaruar kryeministri i Danimarkës, Mette Frederiksen, për agjencinë e lajmeve Ritzau, në një takim me liderët e BE-së në Bruksel.
“Që disa vite, ne kemi parë se ka njerëz që jetojnë në Danimarkë, të cilët nuk na e duan të mirën. Ata janë kundër lirisë sonë dhe kundër shoqërisë daneze”, ka thënë tutje Frederiksen, raporton Reuters.
PET-i ka paralajmëruar për sulme të mundshme për më shumë se një dekadë. Policia tha se nuk e ka ndryshuar shkallën e rrezikut nga terrorizmi, duke e mbajtur në 4 në një shkallë nga 1-5.
Sipas Policisë, të arrestuarit në Danimarkë do të përballen me aktakuzë për terrorizëm, sipas Kodit Penal, dhe do të dalin para gjykatësit.