Një grabitje e armatosur ka ndodhur të mërkurën në një argjendari në Suharekë.
Të dyshuarit, të maskuar dhe të armatosur, janë përballur me Policinë duke shtënë disa herë me armë, ku ka mbetur i plagosur një zyrtar i Policisë së Kosovës.
Ndërsa, sipas njoftimit nga Policia, edhe një tjetër polic është lënduar gjatë aksionit.
Nga të dhënat e para, dyshohet se janë të paktën katër grabitës të maskuar.
“Në ndërkohë kanë mbërritur edhe përforcime të tjera policore, nga të dhënat e para dyshohet se ishin katër të dyshuar. Të dyshuarit janë larguar nga vendi dhe policët iu janë vënë pas, gjatë rrugës të dyshuarit kanë vendosur pengesa të ndryshme dhe kanë arritur që të arratisën”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që kanë informacione lidhur me këtë rast, të kontaktojnë autoritetet.
Ata gjithashtu sigurojnë qytetarët se janë të përkushtuar për sigurinë dhe rendin dhe po bëjnë çdo përpjekje për të zbardhur rastin.
“Ftojmë gjithashtu të gjithë qytetarët që kanë çfarëdo informacioni që mund të na ndihmon në kapjen e kryesve të këtij rasti të kontaktojnë Policinë. Policia në përgjithësi, edhe në Prizren, në veçanti vazhdon të jetë e përkushtuar për të ofruar ndihmë, rend dhe siguri për të gjithë qytetarët”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Drejtori i Policisë në Prizren, Faton Aliu, ka dhënë detaje shtesë në lidhje me grabitjen e armatosur në Suharekë.
Ai ka bërë të ditur për RTV Dukagjinin se nga ky incident përveç një polici të plagosur, ka mbetur edhe një tjetër i lënduar.
“Grabitësit kanë plagosur një polic. Kanë dëmtuar veturën e Policisë. Kanë arritur të marrin një sasi të arit në argjendari, pronari i lokalit nuk është i lënduar. Në këtë rast ka pasur shkëmbim zjarri në mes Policisë e grabitësve, edhe një polic që ka gjuajtur në drejtim të grabitësve është i lënduar në krah, por jo si pasojë e armës së zjarrit”, ka thënë Aliu.
Ai ka thënë se të dyshuarit kanë qenë të maskuar, kanë pasur armë të gjata me vete dhe një veturë hiri që rezulton të jetë me targa të vjedhura.