Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar mëngjesin e së mërkurës së 28 dhjetorit përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ku ka propozuar katër veprime të cilat sipas tij qeveria e Kosovës duhet t’i ndërmarrë në mënyrë që Kosova të nxirret nga “kurthi i Serbisë”.
Teksa ka shpjeguar se katër veprime që do të mundësonin një gjë të tillë janë, heqja e barrikadave në bashkëpunim me KFOR-in, kërkimi nga BE dhe SHBA që të bëjnë presion te Serbia, ruajtja e paqes dhe mbështetjes nga miqtë.
“Veprimet që nxjerrin Kosovën nga kjo kurthë e Serbisë: 1. Hiqni barrikadat në veri në bashkëpunim me KFOR-in. I keni lënë të zënë vend tepër gjatë. 2. Kërkoni me ngulm nga BE-ja dhe SHBA-ja të bëjnë presion tek Serbia të mos pengohen dhe të mos rrezikohen qytetarët tanë që kalojnë nëpër Serbi. 3. Ruajeni paqen fuqishëm. Tregoni gatishmëri për dialog dhe zgjidhje paqësore. Dëgjoni këshillat e miqve për veprimet që duhet ndërmarrë në kuadër të dialogut. 4. Mos përmendni luftë e konflikte. Luftën e kemi paguar shtrenjtë, por e kemi fituar me ndihmën e miqve. Rreziku është të humbim në paqe për shkak të humbjes së mbështetjes nga miqtë tanë”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Ndryshe, ky reagim i Hotit vjen pasi janë bërë afro 20 ditë që kur serbët lokalë në veri kanë vendosur disa barrikada për të bllokuar rrugët që çojnë në kufirin me Serbinë. Nga e marta është mbyllur edhe pika kufitare në Merdarë pas bllokadës në territorin e Serbisë. Të bllokuara janë edhe Jarinja e Bërnjaku.
Lidhur me këtë, qeveria ka thënë se po pret që KFOR-i të intervenojë për t’i hequr barrikadat.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se heqja e barrikadave është “çështje ditësh”.