Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mbajtur një konferencë për media gjatë së cilës ka shpalosur raportin analitik mbi performancën e Legjislaturës së Tetë të Kuvendit të Kosovës.
Violeta Haxholli, hulumtuese e lartë në KDI, theksoi se katër vitet e kësaj legjislature ishin të shoqëruara me mundësi të humbura dhe një mungesë përgjegjshmërie nga ana e deputetëve.
Pavarësisht miratimit të 282 ligjeve, legjislatura u përball me shumë sfida që ndikuan në efikasitetin e saj.
Për më tepër, mungesa e deputetëve ka qenë një problem i vazhdueshëm, me mbi 5,000 mungesa gjatë kësaj legjislature.
Edhe kur deputetët ishin të pranishëm, pjesëmarrja e tyre shpeshherë ishte e pamjaftueshme dhe e paefektshme. Kjo ka reflektuar një mungesë të qartë të angazhimit dhe përgjegjshmërisë nga ana e deputetëve, duke ndikuar në produktivitetin e Kuvendit.
Në total, janë mbajtur 263 seanca, ndërsa Kuvendi ka përmbushur vetëm 36% të planit legjislativ. Shumë projektligje dhe marrëveshje ndërkombëtare janë mbetur të papërfunduara, përfshirë disa projekte kyçe në fushat e energjisë, shëndetësisë dhe arsimit.
“Ndërsa, partia në pushtet u përball me largimin e 6 deputetëve, arriti të ruante shumicën parlamentare, duke marrë mbështetje nga partitë e komuniteteve jo shumicë. Kjo siguroi vazhdimësinë e punës së Kuvendit dhe miratimin e ligjeve dhe akteve të tjera të nevojshme deri në përmbylljen e kësaj legjislature. Megjithatë, sigurimi i kuorumit të nevojshëm për mbajtje të seancave dhe votim ishte sfida kryesore përgjatë gjithë kohës sa zgjati Legjislatura e tetë. Si rezultat, në disa prej seancave u votuan dhjetëra ligje përnjëherë, e në raste edhe me procedura të përshpejtuara. E tillë ishte seanca e 5 dhjetorit në fund të kësaj Legjislature, e cila u karakterizua me veprime të partisë në pushtet, të cilat ishin në kundërshtim me parimet demokratike dhe të qeverisjes së mirë.
Në një anë ka pasur mbi 5 mijë mungesa të deputetëve dhe në anën tjetër edhe kur disa prej deputetëve kanë qenë prezent në seancat e Kuvendit, pjesëmarrja e tyre ka figuruar vetëm në letër, por jo edhe në punimet e Kuvendit. Kështu, në listën e evidencës zyrtare të Kuvendit ku nënshkruhen deputetët, për çdo seancë kanë figuruar më shumë se 90 deputetë.
Mungesa e kuorumit ndikoi edhe mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit, e cila gjatë kësaj periudhe mbajti gjithsej 93 mbledhje, nga 124 mbledhje sa ishin të planifikuara. 25% e tyre dështuan në mungesë të kuorumit. Vetëm në fund të vitit 2021, 4 mbledhje të njëpasnjëshme të Kryesisë dështuan. Ngjashëm edhe 3 mbledhje gjatë gjysmës së parë të vitit 2023″, thuhet në njoftim.