Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se seanca e së enjtes e Kuvendit të Kosovës, e thirrur nga opozita, nuk i ka plotësuar kushtet ligjore për të filluar.
“Ndonëse, e thirrur për të trajtuar një temë të rëndësishme – Rezolutën për mbështetje je urgjente financiare të Policisë së Kosovës, deputetët e shumicës parlamentare të udhëhequr nga VV-ja nuk morrën pjesë dhe kjo seancë nuk plotësoi kushtet ligjore për të filluar”, thuhet në njoftimin e KDI-së, duke shtuar se Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit përcaktojnë që për të filluar një seancë vendimmarrëse nevojitet domosdoshmërisht kuorum, përkatësisht 61 deputetë.
KDI ka thënë se përkundër që deputetët e partisë në pushtet edhe këtë herë treguan “mungesë të përgjegjësisë kundrejt funksionit që ata bartin”, kryekunvendari Glauk Konjufca ka mundësuar zhvillimin e debatit dhe shprehjen e opinioneve opozitare rreth kësaj teme.
“Megjithatë, kjo praktikë nuk duhet lejuar të përsëritet sepse mund të krijojë precedent të gabuar, duke lënë në mundësi të vullnetit individual apo grupor vendimin për mbajtje të seancave”, thuhet tutje në reagimin e KDI-së.