Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka reaguar pas miratimit të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme nga Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të 220-të.
KDI ka shprehur shqetësim për miratimin e ligjit pa konsultim publik, duke e cilësuar këtë veprim si një shkelje ligjore dhe mungesë transparence.
“Transparenca dhe pjesëmarrja e publikut janë thelbësore për qeverisje të mirë dhe të hapur”, ka theksuar KDI, duke kritikuar qasjen e qeverisë në këtë proces.
“Për këtë projektligj Komisioni i Venecias kishte ofruar dy opinione dhe atë së pari më 20 qershor 2022, ku kishte ngritur ngriti shqetësime lidhur me mungesën e qartësisë së projektligjit sa i përket qëllimeve kryesore të tij dhe domosdoshmërinë e legjislacionit të propozuar. Ndërsa, në opinionin e dytë më 19 dhjetor 2022, Komisioni i Venecias vlerësoi përmirësime të rëndësishme veçanërisht në adresimin e shqetësimeve sa i përket të drejtave të njeriut dhe në qartësimin e aspekteve procedurale”, thuhet tutje në reagimin e tyre.
Pavarësisht që projektligji u miratua për herë të dytë në Kuvend më 9 shkurt 2023, siç thuhet në reagimin e tyre, i njëjti u kontestua në Gjykatën Kushtetuese, e cila më 29 korrik 2024 vendosi që katër dispozita të këtij Projektligji t’i shpallë si jo kushtetuese dhe bazuar në natyrën dhe rëndësinë e tyre, si dhe në shërbim të parimit të sigurisë juridike, të njëjtin e kishte shpallur si të pavlefshëm në tërësinë e tij.