Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka njoftuar se ka shqetësime lidhur me udhëzimin administrativ për largimin e kryetarëve të komunave të Kosovës, i cili është publikuar nga Qeveria e Kosovës në lidhje me vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore të vendit.
Edhe pse KDI vlerëson mbështetjen e Qeverisë për inicimin e zgjedhjeve të reja në këto komuna, instituti ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me mënyrën se si është hartuar ky udhëzim administrativ dhe për mungesën e transparencës dhe përfshirjes në procesin e tij.
Procesi i hartimit të udhëzimit administrativ është vlerësuar si i papërshtatshëm dhe jo transparent.
“Pavarësisht rëndësisë së këtij udhëzimi, procesi i hartimit të tij është përcjellë me mungesë të transparencës dhe gjithëpërfshirjes. Madje, MAPL-ja ka vepruar në shpërputhje me standardet minimale për konsultime publike, duke e mbajtur të hapur në konsultim publik këtë udhëzim për vetëm katër ditë pune”, thuhet në komunikatë për media.
“Megjithatë, vlerësojmë që drafti i përgatitur nga MAPL-ja ka tejkaluar përcaktimet ligjore të ligjit për vetëqeverisjen lokale. Në njërën anë, MAPL-ja ka përcaktuar procedura, afate dhe obligime në kuadër të iniciativës që shkojnë përtej ligjit, e në anën tjetër, nuk ka adresuar paqartësitë në zbatimin e dispozitave në fuqi” thuhet tutje nga ana e KDI-së.
KDI-ja ka vlerësuar se ky udhëzim administrativ është në kundërshtim me ligjin dhe standardet demokratike dhe në këto kushte, instituti kërkon që ky proces të ndryshohet në përputhje me këto standarde.
Sipas KDI-së, udhëzimi kundërligjshëm përcakton një afat prej 30 ditësh për mbledhjen e nënshkrimeve, gjë që ua kufizon qytetarëve vullnetin për ushtrimin e një të drejte ligjore, si dhe paradoksalisht përcakton afat shtesë për plotësimin e kërkesës me nënshkrime të reja, nëse nuk arrihet kriteri prej 20% të votuesve të regjistruar.
“Në anën tjetër, udhëzimi nuk ka precizuar se cila listë e votuesve do të merret për bazë në inicimin e kërkesës dhe zhvillimin e procesit të votimit”, thuhet në komunikatën e KDI-së.
Për të siguruar një proces të drejtë dhe të transparentëm për largimin e kryetarëve të komunave, KDI ka konsideruar se është e domosdoshme miratimi i legjislacionit përkatës sekondar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Në përfundim, KDI-ja e ka konsideruar dorëheqjen e kryetarëve aktualë të komunave veriore si zgjidhjen më efikase për tejkalimin e situatës dhe zgjedhjen e institucioneve të reja legjitime.