Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka reaguar pas dështimit të konstituimit të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, duke e konsideruar këtë si rezultat të keqmenaxhimit institucional dhe mungesës së përgatitjes ligjore nga ana e shumicës parlamentare.
Në reagimin e publikuar të martën, pas ndërprerjes së seancës konstituive për shkak të mosmiratimit të raportit të Komisionit për Verifikimin e Mandateve, KDI thekson se partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, ka përgjegjësinë për të siguruar shumicën e nevojshme për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe funksionalizimin e Kuvendit.
“Me vetëm 52 vota pro – të pamjaftueshme për miratim – u dëshmua qartë se ekziston një mospërputhje mes deklarimeve publike të Lëvizjes Vetëvendosje për sigurimin e shumicës dhe realitetit parlamentar”, thuhet në deklaratë.
KDI thekson se mosdorëheqja formale e anëtarëve të Qeverisë që kanë fituar mandat si deputetë ishte ndër arsyet kryesore për bllokimin e seancës.
“Ky dështim nuk mund t’i faturohet vetëm opozitës, kur shumica pretendon se i ka votat. Ai është rezultat i keqmenaxhimit institucional dhe mungesës së përgatitjes ligjore nga ana e shumicës”, thuhet më tej.
Instituti po ashtu ka sqaruar se presidentja nuk ka rol në menaxhimin e seancës pas thirrjes së saj, duke e bërë të pavlefshëm përfshirjen e saj në këtë fazë.
“Roli dhe kompetencat e Presidentes përfundojnë me thirrjen e seancës – ndërsa menaxhimi i saj është përgjegjësi ekskluzive e kryesuesit të seancës, Avni Dehari. Zgjidhja është e mundur dhe e domosdoshme!” thuhet tutje në komunikatë.
KDI kërkon që seanca të vazhdojë brenda afatit 48-orësh dhe që Komisioni të mblidhet sërish për të shqyrtuar materialet përkatëse dhe verifikuar mandatet.