Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka thënë se nuk ka asnjë informacion zyrtar rreth arsyeve të kontrollit të zhvilluar të mërkurën.
Me anë të një postimi në Facebook, KEK-u ka thënë se mbeten të hapur për bashkëpunime me organet e rendit.
“Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin se sot ka pasur një kontrollë nga Policia e Kosovës dhe se nuk ka ndonjë informacion zyrtar rreth arsyeve të kësaj kontrolle. Lidhur me këtë, KEK si gjithmonë mbetet i hapur për bashkëpunim me organet e rendit dhe do të ofrojë qasje të plotë në cilëndo kërkesë nga këto organe. Megjithatë, KEK mbetet në funksion të përmbushjes së interesit të përgjithshëm publik për prodhimin e energjisë dhe ofrimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike të qytetarëve të vendit”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë duke zhvilluar një “kontroll” në Korporatën Energjetike të Kosovës.
Në një përgjigje për Dukagjinin, Policia e Kosovës ka konfirmuar se në KEK po zhvillohet një kontroll, ndonëse për të njëjtin, nuk ka dhënë detaje.
Ata nuk kanë dhënë më shumë detaje në lidhje me këtë “kontroll”.
“Policia e Kosovës është duke zhvilluar një kontroll në KEK, dhe për detajet tjera rreth rastit do të informoheni me kohë”, thuhet në përgjigjen e tyre.