Pas katër vjetësh, Kosova ka zhbllokuar ngërçin në arenën ndërkombëtare sa i përket njohjes së shtetësisë.
Kjo pasi të mërkurën, Kenia e ka njohur zyrtarisht pavarësinë që vendi e shpalli më 17 shkurt 2008, duke u bërë shteti i 118 që e njeh atë.
Lajmin, i pari e dha ish-presidenti dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili publikoi fotografi nga ceremonia e nënshkrimit të njohjes.
Aty, Pacolli shihet duke qëndruar pranë presidentit të Kenias, William Ruto, teksa ai nënshkruan dokumentin.
Pak pas këtij postimi, Pacolli ka dhënë intervistë për emisionin “Five” të televizionit Dukagjini, dhe e ka quajtur njohjen si fitore të madhe për Kosovën, derisa ka shtuar se ajo është produkt i angazhimit të tij 16-vjeçar.
“Unë që nga viti 2009 vi rregullisht në Kenia, asnjëherë abondonu miqtë e mi, kam mbajtur lidhje të mira edhe me dy administratat e kaluara, nuk jam lodhur asnjëherë, kam punuar edhe me opozitën, kam pasur lidhje të mira me lidershipin e tyre. Ata i kanë fituar zgjedhjet në vitin 2019 dhe sot pasoi njohja”, ka deklaruar Pacolli.
Më pas, njohjen e konfirmoi presidentja Vjosa Osmani, e cila tha se ajo është dëshmi e mbështetjes së vazhdueshme për të drejtën e popullit të Kosovës për liri e pavarësi.
Ajo shtoi se këtë çështje e ka diskutuar disa herë me liderin e shtetit afrikan.
“Përgjatë këtyre viteve, kam zhvilluar disa takime të rëndësishme me të, dhe në të cilat njohja e Kosovës ka qenë temë kryesore e diskutimeve. Presidenti Ruto vazhdimisht siguronte popullin e Kosovës se vendimi për njohje do të merret shpejtë, bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe në sakrificën e gjatë të popullit tonë”, ka theksuar Osmani.
Udhëheqësja e shtetit ia ka njohur meritat edhe ish-presidentit Pacolli, duke vlerësuar angazhimin e tij, i cili sipas saj, ka qenë i vazhdueshëm.
Por, për dallim nga presidentja Osmani, kryediplomatja Donika Gërvalla nuk e ka përmendur angazhimin e Pacollit. Ajo vetëm ka thënë se rrugën graduale drejt njohjes e kanë parë nga takimi i parë që ajo dhe Osmani kanë pasur me ish-presidentin e Kenias më 2021.
Në anën tjetër, Pacolli ka thënë se nuk ka pasur bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, e cila aktualisht udhëhiqet nga Donika Gërvalla.
“Nuk kam pasur kurrfarë lidhje me ta. Ata kanë konsideruar se unë nuk iu nevojitem atyre. Unë kisha pas shumë dëshirë që ata të kishin qenë krah meje dhe shtetësisht të më ndihmonin në këtë mision”, ka deklaruar Pacolli.
Para shtetit afrikan, njohjen e fundit Kosova e kishte pranuar nga Izraeli në vitin 2021.