“Kërcënimi i votuesve”, Von Cramon kërkon hetim ndërkombëtar për zgjedhjet në Serbi

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka kërkuar hetim ndërkombëtar për zgjedhjet në Serbi, duke theksuar se ka pasur parregullsi dhe kërcënime të votuesve gjatë procesit zgjedhor

Raportuesja për Kosovë në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka deklaruar se procesi zgjedhor në Serbi ka ndodhur nën hijen e parregullsive dhe të shkeljeve demokratike.

Përmes një postimi në platformën X, Von Cramon ka bërë thirrje për një hetim të plotë dhe mbikëqyrje ndërkombëtare.

Duke qenë pjesë e delegacionit për vëzhgimin e zgjedhjeve, ajo ka raportuar për kushte të pabarabarta, keqpërdorim të burimeve administrative, blerje të votave dhe shkelje të fshehtësisë së votës.

Von Cramon ka theksuar se ka qenë dëshmitare në sjellje të organizuar të votuesve nga Republika Srpska dhe frikësim të votuesve, shprehur shqetësimin për standardet demokratike në një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Ne dëshmuam raste të sjelljes së organizuar të votuesve nga Republika Srpska dhe frikësimit të votuesve. Ne prisnim absolutisht standarde më të larta demokratike nga një vend kandidat për anëtarësim në BE. Nevojitet një mbikëqyrje ndërkombëtare dhe një hetim i plotë”, ka shkruar ajo.

Po ashtu, ajo ka thënë se Parlamenti Evropian është i gatshëm të ndërmjetësojë në mes të partisë në pushtet dhe opozitës në Beograd, për të siguruar paqe në dialog dhe për të ulur tensionet.

Mandatin e deputetit shqiptar të vetëm në parlamentin serb e ka marrë Shaip Kamberi, ndërsa qytetarët nga Lugina e Preshevës janë ankuar se u është pamundësuar pjesëmarrja në zgjedhjet e së dielës në Serbi, si pasojë e pasivizimit të adresave dhe marrjes së dokumentacionit.

Gjithashtu, Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë ka thënë se parregullsitë në zgjedhjet në Serbi, të raportuara nga misionet vëzhguese ndërkombëtare, janë “të papranueshme” për një shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut ka thënë se zgjedhjet në Serbi janë përcjellë me parregullsi serioze, keqpërdorim të fondeve publike, dominim medial të presidentit të shtetit, Aleksandar Vuçiq, fushata negative dhe përhapje të frikës.

Partia Përparimtare Serbe (SNS) e presidentit Vuçiq i ka hedhur poshtë akuzat për rezultatin ndryshe prej vullnetit të qytetarëve dhe parregullsi të tjera.

Më 17 dhjetor, Serbia i ka organizuar zgjedhjet parlamentare, lokale dhe krahinore.

Partia e Vuçiqit, SNS-ja, ka shpallur fitore në të gjitha nivelet.

Sipas rezultateve paraprake të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve të Serbisë, të drejtën e votës në këto qytete e shfrytëzuan 23.878 votues nga Kosova, ose rreth 25 për qind e atyre me të drejtë vote.

Siç ka raportuar REL, gati 72 për qind ose rreth 17 mijë prej tyre votuan listën “Serbia nuk duhet të ndalet”, e udhëhequr nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Përqindje të ngjashme të mbështetjes nga serbët e Kosovës përmendi edhe vetë Vuçiq, mbrëmjen e 17 dhjetorit.

Sipas të dhënave të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve në Serbi, Lista zgjedhore “Ivica Daçiq – kryeministër i Serbisë” mori rreth 9 për qind të votave të votuesve nga Kosova, ndërsa lista “Serbia kundër dhunës” 4.36 për qind.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika