Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Faton Klinaku, ka deklaruar se deklaratat e tij ku përmendi vrasjen e kryeministrit Kurti janë më shumë hipotetike sesa që kanë mundësi të ndodhin ndonjëherë.
Në një lidhje telefonike në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, Klinaku ka deklaruar se deklarata e tij është ekzagjeruar.
“Deklarata është shkruar në gjuhën shqipe. E dyta, duhet të flasim pak më ndryshe, sepse nuk jemi të një niveli të pashkolluar gjë që më vije keq prej njerëzve që nuk e shohin atë në një status që më shumë është hipotetike sesa që do të ndodhë diçka, sesa njerëzit ekzagjerojnë gjëra që qëllimin kryesor e kanë luftën ndaj vlerave të UÇK-së”, ka deklaruar ai.
Krahas kësaj, Klinaku ka deklaruar se Qeveria Kurti ka shpallur luftë të hapur ndaj veteranëve.
“Gjithë panelistët nëse nuk reagojnë është turpi i turpit kur dihet fakti se kjo qeveri qe tri vite as protezat e invalideve nuk i rregullon. Kjo qeveri ka shpallur luftë të hapur ndaj veteranëve, duke i hequr edhe nga pagat minale dhe të emrret me diçka hipotetike…nuk do të ndodhë asnjëherë (ta vret Kurtin)”, ka deklaruar ai.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Faton Klinaku, është intervistuar nga Prokuroria Speciale lidhur me deklaratën e tij për kryeministrin Albin Kurti, e cila u vlerësua si kërcënim ndaj tij.
Lajmin për Dukagjinin e ka konfirmuar vetë Klinaku, duke bërë të ditur se ai është intervistuar në prani të avokatit të tij, duke mos dashur të japë më shumë detaje.
Klinaku ka dalë dje në rrjetin social në Facebook, një bisedë që ka pasur me një votues të Kurtit, ku ndër të tjera, ka thënë se “më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”.