Në paraqitjen e përbashkët mes Gabriel Escobarit dhe Kryeministrit Albin Kurti, nuk kishte ndonjë mesazh të qartë sa i përket afateve për marrëveshjen finale në mes Kosovës dhe Serbisë.
Por, porositë që diplomati amerikan solli në Kosovvë, u bënë të qarta kur Gabriel Escobar pati një paraqitje mediale.
Ai tha se marrëveshja mes Prishtinës dhe Beogradit, duhet të përfundoj sa më shpejt, për çka kërkoj nga BE që të vendosë afate kohore.
Ndërkohë, qasja konkrete e Gabriel Escobar, duket befasuese për një anëtarë të shoqërisë civile nga radhët e komunitetit serb.
Sipas tij, ShBA-ja kurrë nuk do të merrte një vendim që do të ishte në kundërshtim të Kosovës.
“Unë isha shumë i befasuar që dëgjova atë deklaratë, sepse për opinionin tim, marrëveshja finale nuk duket aq afër, ndoshta ai i referohet marrëveshjeve të brendshme mes shteteve. Serbia ende nuk ka një qeveri, javën tjetër do të ketë formim të institucioneve për çka nuk mendoj që dakordimi mes palëve do të mund të bëhej shpejt. Çdo gjë që është e mirë për Kosovën, ShBA e përkrahë dhe asnjëherë nuk do të merrte një vendim në kundërshtim me atë”, ka thënë Ognjen Gogiq nga shoqëria civile.
I dërguari i Uashingtonit për ballkanin perëndimor, ka kërkuar që të shtyhet afati prej 10 muajsh për konvertimin e targave ilegale në RKS.
E për këtë përgjigje kanë dhënë vet zyra e kryeministrit duke thënë se nuk është koha e shtyrjeve të afateve por koha që të promovohet sundimi i ligjit.
“Ne kemi për obligim sundimin e ligjit, kushtetutshmërinë, vendimet qeveritare. Njëra nuk bën ta përjashtojë tjetrën. Nuk është data 31 e as 30 tetor sot. Jemi në kuadër të fushatës për konvertimin e targave ilegale në ato legale RKS. Ju bëjmë thirrje përsëri qytetarëve serbë të Kosovës që t’i konvertojnë targat duke përfituar nga lirimi tatimor e doganor”, kanë thënë nga Qeveria e Kosovës.
Mirëpo kjo nuk është kërkesa e vetme e Escobar. Ai po ashtu ka propozuar, që njohja nga Serbia të mos vijë në fillim të marrëveshjes duke iu referuar se e përkrahin propozimin e Francës dhe Gjermanisë.
Ndonëse për këtë çështje nuk kanë pranuar që të përgjigjen nga zyra e kryeministrit, një deputete e Vetëvendosjes ka thënë se marrëveshja finale do të jetë më e mira për qytetarët e Kosovës.
“Nuk është një çështje që do të mirrej një përgjigje përfundimtare qysh dje, gjërat është mirë të shikohen dhe analizohen në mënyrë që të gjendet zgjidhja përfundimtare e të jetë ajo që i shkon më së shumti për shtati qytetarëve të Kosovës. Mendoj që kemi qenë konstruktiv në dialog dhe kemi ofruar zgjidhje që i gjithë ky proces të jetë në favor të qytetarëve”, ka thënë Arbresha Kryeziu-Hyseni.
Një ditë më parë Gabriel Escobar si emisar si ShBA-së për Ballkanin ka takuar krerët e shtetit dhe partitë opozitare për të diskutuar për çështjet e dialogut, ndërsa më pas ka udhëtuar për në Beograd.