Policia e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar personi i kërkuar me nofkën “Liza”, i cili për disa vite me radhë kërkohej si i dyshuar për vrasje.
I.A u prangos rreth orës 17:00, në Batllavë të Podujevës.
“Si rezultat i angazhimeve dhe hetimeve të pandërprera të Policisë së Kosovës, sot me datën 16.07.2023, rreth orës 17:00, në Batllavë të Podujevës është arrestuar i shumë kërkuari (I, A,) i njohur me nofkën “Liza””.
Sipas policisë, arrestimi i tij është kryer, pas bashkëpunimit dhe koordinimit të njësiteve të ndryshme policore, përfshirë sektorin e narkotikëve të cilët kanë asistuar deri në arrestimin e tij.
“Të gjitha veprimet e mëtejme policore, do të realizohen në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, vijon njoftimi.
Ilir Abdullahu konsiderohet të jetë bashkëpunëtor i Enver Sekiraqës, i dyshuar për përfshirje në vrasjen e policit Triumf Riza.
I dyshuari ka qenë në kërkim nga Interpoli nën akuzat për organizim të vrasjes së policit Riza.
Arben Berisha është dënuar me 35 vite burg për vrasjen e policit.
Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër.
Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.