Organizata “Qytetarët Aktiv”, e ka dërguar një kërkesë te kryetari i Prishtinës Përparim Rama, me anë të së cilës kërkohet anulimi i vendimit për lejimin e mbajtjes së festivalit “Sunny Hill”, në parkun e Gërmisë.
Në parashtrimin e kërkesës së tyre thuhet se nuk janë konsultuar qytetarët dhe nuk ka pasur debat publik për mbajtjen e festivalit në parkun e Gërmisë.
Kjo organizatë është thirrur në ligjin nr. 03/L-233 për mbrojtjen e Natyrës, ku përcaktohet se për shfrytëzim të të mirave të natyrës duhet pjesëmarrja e publikut.
“Gjatë hartimit të akteve ligjore, përkatësisht akteve për shpalljen e vlerave të mbrojtura të natyrës, planeve të menaxhimit me zonat e mbrojtura dhe planeve për shfrytëzimin e të mirave të natyrës si dhe dispozitave të përgjithshme ligjore të zbatueshme dhe të detyrueshme dhe dokumenteve në fushën e mbrojtjes së natyrës, duhet të sigurohet pjesëmarrja e publikut”, thuhet në kërkesën e tyre të bërë publike ditën e martë.
Në njoftimin e tyre thuhet se, mbajtja e këtij festivali në Gërmi e degradon biodiversitetin dhe mjedisin, sipas tyre kjo ka ndodhur edhe herën e kaluar kur është mbajtur festivali në atë zonë.
Ata kanë kërkuar nga Komuna e Prishtinës që sa më parë ta anulojnë këtë vendim.