Një i vdekur dhe 17 të lënduar.
Kjo u shkaktua nga shkrepjet e armëve në incidentin e së premtes në “Bon Vivant” në Prishtinë.
Pas këtij incidenti, fillimisht, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, kërkoi të themelohej policia e kryeqytetit.
Sipas tij, incidenti i së premtes “e shtron shumëfish” nevojën e krijimit të policisë së kryeqytetit.
“Organet e rendit dhe ligjit t’i ndërmarrin të gjitha masat për ndëshkimin e fajtorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë, por si hap i parë i parandalimit të rasteve të tjera të ngjashme, që edhe mund të përsëriten, është krijimi i menjëhershëm i Policisë së Kryeqytetit!”, kishte shkruar Haradinaj.
Pas postimit të Haradinajt, i pari i Prishtinës, Përparim Rama, ishte në një “takim urgjent” lidhur me këtë çështje, krijimin e policisë së kryqytetit.
Ky takim u mbajt mes kryetarit Përparim Rama, drejtorit për siguri dhe emergjenca, Lulzim Fushtica dhe drejtorit të Policisë për rajonin e Prishtinës, nënkolonel Basri Shabani.
“Pas ngjarjes së mbrëmshme e cila na shqetësoi të gjithëve, bashkë me drejtorin për siguri dhe emergjenca, Lulzim Fushtica, mbajtëm një takim urgjent me drejtorin e policisë për rajonin e Prishtinës, nënkolonel Basri Shabani, me të cilin diskutuam për çështjen e sigurisë në #kryeqytet dhe hapat të cilët duhet të ndërmarrim bashkërisht për krijimin e policisë së kryeqytetit, e cila është urgjentisht e nevojshme dhe do të na ndihmonte në rritjen e nivelit të sigurisë në Prishtinë”, kishte shkruar Rama.
Një person i cili kishte marrë plagë në të shtënat e së premtës në një kafiteri të Prishtinës, “Bon Vivant”, ka ndërruar jetë.
Lajmin për Dukagjinin e kishte konfirmuar shefi i repartit intensiv në QKUK, Shaqir Uka.
Lexo dhe: Një i vdekur nga incidenti në “Bon Vivant”, mbi dhjetë të plagosur
“Nga informacionet qe kam nga ekipa kujdestare e Mjekimit Intensiv, 1 pacient që ka marrë plagë nga plagosja e mbrëmshme pas intervenimit kirurgjik është sjell për trajtim të mëtutjeshëm në Mjekumin Intensiv. Pacienti në fjalë edhe përkundër të gjithë trajtimit kirurgjik dhe terapisë intensive nuk ka arritur të iu mbijetoj plagëve dhe ka ndërruar jetë në orët e hershme tē mëngjesit”, kishte deklaruar Shaqiri.
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) kishte njoftuar se pesë personat e pranuar në Klinikën Emergjente pas incidentit me armë në një kafiteri në Prishtinë janë jashtë rrezikut për jetë.
Me anë të një postimi, nga ShSKUK-ja kanë bërë të ditur se një 39-vjeçar ka humbur jetën.
Lexo dhe: ShSKUK-ja deklarohet për gjendjen e të plagosurve në “Bon Vivant”
“5 persona janë pranuar për trajtim të mëtejmë, pas ndihmës mjekësore emergjente në Klinikën Emergjente, si pasojë e lëndimeve që kanë marrë mbrëmë. Prej tyre, 4 janë pranuar për trajtim të mëtejmë në Klinikën e Ortopedisë dhe 1 në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, të gjithë jashtë rrezikut për jetë. Ndërkaq, përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi mjekësor, një person i datëlindjes 1984, ka ndërruar jetë në Mjekimin Intensiv Qendror. Numri total i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ishte 17. Prej tyre, 7 të lënduar me armë zjarri dhe 10 me mjete të mprehta.”, kishte deklaruar ShSKUK-ja.