Kërkohet nga BE-ja të jetë më e balancuar në dialog

Dështimi për të arritur një marrëveshje në takimin e së enjtes në Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, mund të bllokojë procesin e dialogut, thonë analistët politikë

Dështimi për të arritur një marrëveshje në takimin e së enjtes në Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, mund të bllokojë procesin e dialogut, thonë analistët politikë.

Sipas tyre, Kurti duhet të jetë më konstruktiv që të dalë nga ngërçi i krijuar për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, derisa kërkojnë edhe nga Bashkimi Evropian që të jetë më i balancuar në raport me dy palët. Ndërkaq, kreut qeveritar i sugjerojnë që të bëjë hapa përpara në lidhje me Asociacionin, por, gjithsesi, brenda kornizës ligjore dhe kushtetuese të vendit.

Njohësi i procesit të dialogut, Albinot Maloku, thotë për KP-në se kryeministri Kurti nuk duhet të bjerë në grackën e Serbisë dhe të bllokojë dialogun, pasi kjo i konvenon vetëm Vuçiqit

“Bashkimi Evropian hapin e parë që do të duhej të kishte parasysh është që të jetë më e balancuar. Në këtë rrafsh, qasja e kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së Kosovës do të duhej të ndryshojë, pasi praktikat e procesit të dialogut kanë pasur dallimet e veta. Shkuarja në një dialog që të ketë ngërçe ende, nuk i ndihmon Kosovës, duke parë ambiciet dhe nevojat e veta. Për Serbinë kjo është jashtëzakonisht e volitshme, dhe për pasojë konsideroj se Kosova duhet të ketë një qasje më kreative sesa këto metodat e deritanishme, pasi nuk po e dhënë afektin e vet”, thotë ai.

Në anën tjetër, analisti politik, Artan Muhaxhiri, thotë për KP-në se Bashkimi Evropian duhet të kërkojë garanci nga Serbia për zbatimin e marrëveshjes bazë me Kosovën.

Ai, po ashtu, thotë se Kosova duhet të bëjë hapin e madh që ta paraqesë pozicionin e saj në raport me Asociacionin.

“Kosova nuk është treguar palë konstruktive në raport me Asociacionin, sepse ka vite që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-ja e lusin Kosovën që të ofrojë pozicionin e saj në raport me atë si e sheh Asociacionin, gjithsesi, brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore të Kosovës. Mirëpo ka pasur një bojkot dhe injorim të plotë të kësaj teme nga ana e Kosovës, prandaj kanë ardhur edhe presionet ndërkombëtare”, thekson Muhaxhiri.

Sipas tij, masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës nuk do të largohen derisa të ketë një vendosmëri më të madhe të Kosovës për zgjedhjet në veri.

“Nuk mund të ketë largim të bllokadës dhe deeskalim, pa garanci të forta nga ana e Qeverisë së Kosovës për zgjedhjet në veri, për infrastrukturën dhe sigurimin e të gjitha mjeteve dhe lehtësimin e procedurës së (zgjedhjeve). Gjithsesi, edhe të garancive nga ana serbe për pjesëmarrje të pakicës serbe në këto zgjedhje në veri”, shton ai.

Të enjten, në Bruksel janë takuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, mirëpo pa arritur një rezultat për zbatimin e marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi.

Kryeministri, Albin Kurti, ka thënë se takimi në Bruksel s’ka pasur asnjë rezultat për shkak të kushtëzimit të Serbisë për themelimin e Asociacionit, para zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit.

Pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, kreu qeveritar tha se gjatë këtij takimi ka propozuar plan të qartë për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes bazë, ndërkaq pas takimit nga ndërmjetësit e dialogut u është dhënë një dokument dyfaqësh të para, gjashtë muajsh, i cili nuk flet për zbatim të marrëveshjes, por kushtëzim të saj me themelimin e Asociacionit.

Për një dokument të tillë, Kurti tha se nuk ka qenë në dijeni, derisa kritikoi lehtësuesin e dialogut, Miroslav Lajçak, se ka cenuar rolin e tij në dialog duke pranuar një kushtëzim të tillë para dakordimit të marrëveshjes së Ohrit.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se nuk është i gatshëm të ecë përpara për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. /KP

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika