Janë pamje jo të zakonshme në një qendër për punë sociale, por jo prezencë e pazakonshme e Policisë së Kosovës.
Një ditë pas vrasjes së 21-vjeçares nga ish-bashkëshorti i saj në Qendrën për Punë Sociale të Ferizajt dhe plagosjes së vëllait të saj nga ky i fundit, është vënë në pikëpyetje siguria në institucionet publike.
Ndonëse janë të familjarizuar me probleme të ndryshme që ofron natyra e qendrave për punë sociale, nga Asociacioni i këtyre të fundit vlerësojnë se çështja e sigurisë është neglizhuar.
“Niveli i sigurisë në këto institucione është në nivelin më të ulët të mundshëm. Shikoni, në disa prej tyre ka disa persona që në emër të kompanive të procedurave të rekrutimit kryejnë funksionin e sigurisë por nuk janë të pajisur as me mjetet minimale për të neutralizuar personat të cilët potencialisht mund të shkaktojnë problem. Në asnjë nga qendrat e QPS-ve nuk ka pajisje për detektorët të cilët mund ta detektonin një person që mund të jetë i armatosur”, tha Blerim Shabani, kryetar i Asociacionit të QPS-ve.
Sipas Shabanit, kur në pyetje është siguria në këto qendra, veprimi do duhej të ishte i menjëhershëm.
“Do duhej të ndërmerrnin masa në mënyrë urgjente që të vënon rëndësi të sigurisë në objekte, t’i pajisnin të gjitha qendrat e QPS-së me persona që sigurojnë, të hartohen protokolle të hartimit që trajtojnë shqetësimet e sigurisë sepse kjo do ndikonte në mbrojtjen e klientëve por edhe vet mbrojtjen e punëtorëve social”. tha Shabani.
E, sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi do të duhej të kishte vazhdimisht raporte vlerësimi për sigurinë nëpër Qendra për Punë Sociale.
Lavdim Makshani nga ky institut vlerëson se rol të rëndësishëm do të kishte Ligji për Mbikëqyrjen Elektronike nëse do gjente zbatim.
“Në secilën QPS kjo do duhej bërë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, por duke mos harruar që në secilën qendër është e rëndësishme të ketë edhe kompani private të sigurimit në më mënyrë që të arrihet siguri. Ne ende nuk e kemi ligjin për mbikëqyrjen elektronike, është në fuqi prej 2015. Prej atëherë ne s’kemi hallka siguruese që do parandalonin raste të dhunës, vrasjeve e natyrave të ndryshme. Kjo do ndihmonte që në secilin rast të parandaloheshin”, tha Lavdim Makshani nga IKD.
Qendra për Punë Sociale është institucion publik profesional i nivelit komunal, i cili është kompetent për mbrojtjen e qytetarëve në nevojë sociale.