Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve: C.C., I.R., A.I., R.D., Sh.A., për shkak se dyshohet se nuk ua kanë dorëzuar në tërësi materialin ndërtimor disa familjeve skamnore ashtu siç ka qenë e paraparë në bazë të tenderit “Furnizimi me material ndërtimor për rindërtimin e shtëpive të familjeve skamnore dhe rasteve sociale të komuniteteve minoritare në Komunën e Prizrenit”.
Komuna e Prizrenit ka pësuar dëm me këtë vepër ku sipas Prokurorisë dëmi i komunës së Prizrenit është në vlerë prej 13 mijë e 283 euro.
Të dyshuarit si persona zyrtarë duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare i tejkalojnë kompetencat e tyre ose nuk i përmbushin detyrat zyrtare të tyre me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetrin apo që tu shkaktojnë dëm personave tjerë, kështu shkruhet në kërkesën e Prokurorisë.
Dyshimi për këtë vepër thuhet të jetë që nga fillimi i muajit dhjetor të vitit 2021 deri më datën 25 korrik të vitit 2022.
Të dyshuarit janë: C.C., ish-Koordinator në Zyrën për Komunitet dhe Kthim në Komunën e Prizrenit, I.R., Menaxhere e Zyrës për Komunitet dhe Kthime në Komunën e Prizrenit, A.I., Zyrtar për të drejtat dhe integrimin e komuniteteve në Komunën e Prizrenit, R.D., Zyrtar për të drejtat dhe integrimin e komuniteteve në Komunën e Prizrenit dhe Sh.A., Drejtor i Ndërmarrjes “B-A.” Sh.P.K, me seli në fshatin Zhur-Komuna e Prizrenit.
Sipas KPRK-së, me këto veprime, të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ndërkaq, të njëjtit si persona zyrtar në dokumentin zyrtar shënojnë të dhëna të rreme ose nuk i shënojnë të dhënat e duhura, apo me nënshkrimin e tyre ose me vulën zyrtare vërtetojnë dokumentin zyrtar, regjistrin apo shkresën zyrtare e cila përmban të dhëna të rreme, në atë mënyrë që në periudhën kohore të lartcekur, me rastin e dorëzimit të materialit ndërtimor për përfituesit B.D., A.K., B.R., dhe L.U., nënshkruajnë në emër të tyre, edhe pse në fakt përfituesit nuk e kanë pranuar në tërësi ose fare materialin ndërtimor. Me këto veprime, të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” sipas KPRK-së.
Aksioni i krimeve ekonomike nga Policia e Kosovës, pesë të arrestuar në Prizren e dy në Obiliq