Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka bërë një kërkesë zyrtare ndaj Gjykatës Themelore në Gjilan për të caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh për D.T., i dyshuar për veprën penale “Vrasje e Rëndë”.
Në njoftimin e tyre, këtë të hënë Prokuroria ka thënë se D.T. dyshohet se më 16 dhjetor, rreth orës 20:35 në fshatin Dobërçan, komuna e Gjilanit, ka kryer vrasjen e A.B. me dashje, duke e goditur me thikë disa herë në pjesë të ndryshme të trupit.
“Me këto veprime, i pandehuri dyshohet të ketë kryer veprën e sipërshkuar penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Më 17 dhjetor, Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka ndaluar të dyshuarin më inicialet D.T., në kohëzgjatje prej 48 orësh.
D.T dyshohet se gjatë mbrëmjes të së shtunës, në fshatin Dobërçan të Gjilanit, e ka kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’, motivi i së cilës ende nuk dihet.
Për Dukagjinin, mbrëmjen e së shtunës, drejtori i Spitalit të Gjilanit, Arsim Emini, ka deklaruar se viktima 29-vjeçar kishte mbërritur në spital me shtatë plagë.
“Personi me inicialet A.B i lindur në vitin 1994, ka ardhur në spitalin e Gjilanit nga fshati Dobërçan me 7 plagë, një kryesorja në kokë, të tjerat gjoksit trupit edhe ka vdekur në vendin e ngjarjes në spital ka ardhur pa shenja jete”, ka thënë ai.