Të mërkurën e 31 gushtit, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë, ndaj të pandehurit A.B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 185 paragrafi 1 të KPRK-së.
“Më 26 gusht 2022 në Gjakovë, konkretisht në shtëpinë e tyre të përbashkët, i pandehuri A.B., i shkakton lëndime trupore të dëmtuarës, T. J. G. (shtetase hungareze), viktimë e ndjeshme ,grua shtatzënë, me të cilën ishte duke bashkëjetuar”.
Më tutje, në raportin mjekësor të lëshuar nga reparti i emergjencës së Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, thuhet se për shkak të dhunës së ushtruar ndaj saj në vazhdimësi nga i pandehuri, e dëmtuara kishte dalë nga shtëpia dhe kishte tentuar që të ikte për në shtetin e saj në Hungari. Asaj i është vënë pas i pandehuri duke e kthyer dhunshëm në shtëpi, të cilën e mbyll në dhomë, duke e goditur me rrip në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të dëmtuarës i shkakton lëndime trupore.
Prokurori i rastit ndaj të pandehurit A.B., ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh. I pandehuri me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim nga data 30 gusht 2022.