Përfaqësuesit e Vetëvendosjes (VV) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë kërkuar një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar vetëm për planin e lagjes “Kalabria”.
Shefi i asamblistëve të PDK-së, Letorim Retkoceri, ka thënë se nga sjellja e drejtuesve të kryeqytetit, Prishtina po trajtohet si zonë e betonizuar.
“S’ka pasur asnjë dokument dhe material për planin në lagjen ‘Kalabria’, po ua tregoj rendin e ditës, në një situatë kur si grupe, si grupit të Partisë Demokratike, është dërguar plani zhvillimor komunal, më duhet te them një argument tjetër, e kuptojmë hallin e banorëve sepse nga sjellja Prishtina po trajtohet si zonë e betonizimit dhe planeve me koeficient për grupe të caktuara, kjo s’duhet t’i ndodhë Prishtinës, qysh mundet t’u arsyetohet qytetarëve 1.8 e kanë pru sot me idenë e koeficientit 7, çfarë borxhi kemi na, nëse kryetari ka borxh dikujt është mirë me tregu, që nga ndërrimi i pronave të Badovcit nuk do lejojmë më të keqpërdoret besimi. Kemi nevojë me pa plane, kemi pa që ka dalë në dëgjim publik, s’i kemi parë ndryshimet”, ka thënë Retkoceri.
Asamblisti nga Lëvizja Vetëvendosje, Faton Zeka, ka kërkuar që javën tjetër të mbahet një seancë e jashtëzakonshme me vetëm një pikë të rendit të ditës, planin për Kalabrinë.
“Kalabria nuk është vetëm e imja, por edhe e gjithë banorëve që jetojnë aty. Fjalimet e mira politike nuk e arsyetojnë kohën e humbur që dy vite e gjysmë. Dhe janë penalizuar duke mos mundur të realizojnë as nevojat elementare e lërë më jetë luksi. Të caktohet një seancë e jashtëzakonshme ku e trajtojmë vetëm planin e ‘Kalabrisë’. Të gjithë e dimë se plani i Kalabrisë që nga viti 2005 nuk është reviduar asnjëherë. Interesi i qytetarëve është të ketë barazi dhe dinjitet, të mos mashtrohen dhe të ketë hile ndaj tyre. Hajde po mblidhemi dhe po e trajtojmë me seriozitet me fokus kërkesat e banorëve dhe mos të shkojnë edhe dy vjet e gjysmë”, ka thënë Zeka.
Edhe Bahri Gashi nga AAK-ja ka thënë se duhet të diskutohet kjo çështje e lagjes “Kalabria” në një seancë të jashtëzakonshme.
“Më vjen rëndë kur i shoh ato grupe para derës, unë nuk dua të flas sikur kolegët e mi shumë, a ka mundësi me mbajt një seancë të jashtëzakonshme brenda disa ditëve, dërgoni materialin sot një javë e vijmë prapë, është punë ore me votu, sot s’ka pikë Kalabrie, ju lutem tërhiquni, na dërgoni material dhe e vazhdojmë seancën”, ka thënë Gashi.
Këtyre kritikave u është përgjigjur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. Ai i ka akuzuar për mashtrim të qytetarëve dhe se po bëjnë politikë me ta.
“Prej fjalimeve e politikëbërje që po ndodh në këtë asamble, ne si kabinet po punojmë shumë. Jemi të gatshëm dhe mund ta bëjmë seancën e jashtëzakonshme javën tjetër me një pikë, atë të Kalabrisë, meqë nuk është futur në këtë seancë. Unë nuk e kam mendjen të bëjë politikë. Asnjëherë nuk u është cenuar ndërtimtarëve ta zhvillojnë ‘Kalabrinë’. Është mbrojtur e drejta e banorëve për të mos u betonizuar. Për këtë arsye e kemi analizuar, kemi diskutuar me qytetarët, vazhdojmë të diskutojmë. Po i mashtroni ju me politika, ne po punojmë, nuk ka pasur ndryshime të mëdha sesa sot, e kemi një plan e vizion, e ju e sabotoni tu i rrejt njerëzit, kur bëhemi bashkë për të mira, tokën e komunës i duhet unaza dhe qeveria nuk e financon e ju bëni politika, s’dini tjetër veç me fol e na bëjmë”, ka thënë Rama./EO
Disa banorë të lagjes “Kalabria” në Prishtinë kanë protestuar para objektit të komunës pas pakënaqësive të shfaqura ditë më parë rreth planit rregullues për lagjen.
Lexo më shumë: Banorët e “Kalabrisë” protestojnë para Komunës për planin rregullues të lagjes
Gëzim Sveçla, asamblist i LVV-së, ka folur para protestuesve duke thënë se kryetari Përparim Rama erdhi pa material.
Ndryshe, në mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Financa, e cila është mbajtur të enjten, u vendos që të mos hyjë në rend të ditës plani rregullues për “Kalabrinë”, me gjithë përpjekjen e kryetarit Rama që këtë pikë ta fusë në rend dite vetëm një ditë para mbajtjes së seancës së Kuvendit Komunal.