“Në ditën e çlirimit të Kosovës kujtojmë edhe të gjithë ushtarët e NATO-s dhe KFOR-it, të cilët kontribuuan fillimisht në çlirimin e Kosovës dhe më pas në paqen dhe stabilitetin e saj. Nderimi dhe mirënjohja jonë për ata ushtarë, të cilët gjatë këtij misioni fisnik humbën jetën, do të jetë i përjetshëm”, ka shkruar ministrja e punëve të jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Scharz.
Kjo pjesë e statusit të ministres së Jashtme të Kosovës, në ditën e çlirimit ka nxitur shumë reagime.
Diplomatja kosovare, Donika Gërvalla, në një status të saj për nder të 23 vjetorit të çlirimit të Kosovës, vend nuk i bëri askund Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ky postim, u bë shkas që të kërkohet dorëheqja e saj.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, parti që kreun e saj e kishte komandat të luftës së fundit, e quan këtë, sulm në vlerat e UÇK-së.
“Po të ishte një qeveri normale është dashur të shkarkohet menjëherë ministrja Gërvalla, por fatkeqësisht në kemi një qeveri turiste që çdo gjë që është ndërtuar me mund e sakrificë po e hedhin poshtë”, kishte deklaruar Lekaj.
Nëse për asgjë, dorëheqja të paktën duhet të bëhet për ato familje që i kanë humbur familjarët e tyre gjatë luftës, thotë Hisen Berisha nga PDK.
“Dorëheqja është akt moral dhe krejt varet nga këndi që e sheh ministrja. Kjo ministre dhe vetë Qeveria nuk është ky gabimi më i madh që e kanë bërë. Prezantimi i tyre nëpër botë po i bëjnë dëme të mëdha Kosovës’’, ka thënë Berisha.
Për postimin e ministres Gërvalla dhe reagimet që nxiti, RTV Dukagjini ka pyetur edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, por ata nuk janë përgjigjur.