Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka gjobitur Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) për moszbatimin e masave të nevojshme të sigurisë në përpunimin e të dhënave personale gjatë shpërndarjes së faturave për qytetarët.
Ky veprim vjen pasi AIP pranoi ankesa nga qytetarët për qasjen e paautorizuar në të dhënat e tyre personale, për shkak të mungesës së masave të sigurisë nga ana e KESCO-s.
“Gjatë shqyrtimit të ankesave, AIP ka konstatuar se KESCO ka dështuar të zbatojë masat e sigurisë për të mbrojtur të dhënat personale të qytetarëve, duke shkelur kështu detyrimet e saj ligjore. Veprimi i Agjencisë për shqiptimin e gjobës ndaj KESCO është ndërmarrë pas fushatës ndërgjegjësuese që Agjencia ka zhvilluar në muajin shkurt të vitit 2024, me të gjitha kompanitë që bëjnë shpërndarjen e faturave, me ç ‘rast ka kërkuar zbatimin e detyrimeve ligjore që këto kompani kanë ndaj konsumatorëve. Me qëllim të përgatitjes së kushteve, Agjencia ka kërkuar nga Kompanitë që deri më 30 qershor 2024, të ndërmarrin të gjitha masat për të siguruar mbrojtjen e të dhënat personale”, thuhet në njoftim.