Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës ka vendosur sot [ e martë] në lidhje me profesorin e rregullt të Fakultetit të Edukimit, Xhevat Krasniqi, i denoncuar për ngacmim seksual nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë.
Disa media vendore kanë raportuar se Këshilli i Etikës i ka rekomanduar Rektoratit të UP-së pezullimin e punës së Xhevat Krasniqit, sipas kornizës normative përkatëse, derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e prokurorisë se shtetit.
Dy anëtarët e Këshillit të Etikës, Arben Hajdari dhe Skender Muji kanë refuzuar të tregojnë se cili është vendimi i marrë gjatë mbledhjes së sotme të KE-së për profesorin Xhevat Krasniqi, raporton Kallxo.com
Ata kanë thënë se vendimin do ta publikojë Rektorati i UP-së.
“Unë mendoj që del tash zyrtarisht vendimi që është marrë kështu që nuk jam i autorizum me thënë asnjë gjë tjetër, besoj që shpejt del lajmi, lajmi zyrtar kur del prej Rektoratit” – ka thënë Hajdari.
“Po, zyrtarisht ka ngelë menaxhmenti i UP-së me publiku (vendimi i KE-së). Na e kena marrë një vendim tashti menaxhmenti e bën publike” – tha Muji.
Ky vendim i KE-së ndaj Krasniqit vjen pas disa mbledhjeve të mbajtura nga ky Këshill, të cilat u shoqëruan edhe me protesta të aktivistëve të Lëvizjes Feministe Studentore dhe të tjerë, të cilët kërkuan përjashtimin e Krasniqit nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Ndryshe, Lëvizja Feministe Studentore edhe sot ka ndërmarrë një aksion simbolik, duke vendosur në derën e zyrës së profesorit, Xhevat Krasniqi, disa shirita, me të cilët zyra e tij është cilësuar si skenë krimi.
Ndërsa, të enjten e javës së kaluar kjo Lëvizje ka ndërprerë ligjëratën e profesorit Xhevat Krasniqi, i cili nga disa studente është denoncuar për ngacmim seksual.