Nesër, e premte, në ora 11:30 do të mbahet një takim i jashtëzakonshëm i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), sipas një njoftimi zyrtar për media.
Takimi pritet të zhvillohet në sallën e takimeve, kati VI, në objektin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Njoftimi i KPK-së thekson se takimi do të transmetohet në faqen zyrtare të Këshillit në Facebook.
“Ju njoftojmë se Takimi i Jashtëzakonshëm i Këshillit Prokurorial transmetohet nesër në Facebook”, thuhet në njoftimin e KPK-së.
Megjithatë, nuk është bërë e ditur tema e diskutimit që do të trajtohet në këtë takim të jashtëzakonshëm.
Kujtojmë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte bërë të ditur se nuk do të dekretojë si kryeprokuror të Shtetit, Blerim Isufajn, duke e cilësuar procesin e përzgjedhjes së tij si “i parregullt dhe diskriminues”.
Njoftimi i këtij vendimi është bërë më 17 tetor në një konferencë për media, ku presidentja Osmani theksoi se vëzhguesit vendorë dhe ndërkombëtarë kanë evidentuar “10 shkelje në procedurën e përzgjedhjes së kryeprokurorit”.
Presidentja Osmani ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me cilësinë e procesit dhe ka vendosur të mos i japë dekretimin zyrtar kryeprokurorit të përzgjedhur.
Përveç tij, në garën për këtë post ishin edhe Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi. Derisa presidentja nuk ka dekretuar zyrtarisht kryeprokurorin e përzgjedhur, ushtrues i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit mbetet Besim Kelmendi, i cili ka kompetencat e plota të kryesimit të kësaj pozite.